Dështimi i Italisë për t’u kualifikuar në Botëror po shihet si katastrofë

Kur Italia mungoi në Botërorin e fundit ishte një fatkeqësi për futbollin në vend. Ndërsa mungesën edhe në botërorin “Katari 2022”, që mbahet në fund të këtij viti, nuk ka fjalë për ta përshkruar me saktësi. Ndonëse, po vlerësohet si një katastrofë e vërtetë.

“JOOOOOOOOO!”, ishte titulli të premten në ballinën e gazetës “Tutottsport”, me nëntë prej shkronjave O që shtriheshin përgjatë gjithë faqes së parë.

Italianët, të cilët fituan Kampionatin Evropian vetëm tetë muaj më parë, mund të fajësojnë vetëm veten e tyre për mungesën në Katar. Ekipi nuk arriti t’i shndërronte në gol dhjetëra raste të krijuara në humbjen 1:0 të enjten mbrëma në gjysmëfinale të plejofit nga Maqedonia e Veriut. Ishte sulmuesi Aleksandar Trajkovski që shënoi në kohën shtesë për të siguruar një fitore tronditëse për një përfaqësuese të renditur në pozitën e 67-të në botë. “Në ferr”, ishte titulli i ballinës në “Corriere dello Sport”. Ndërkohë, “Gazzetta dello Sport” shkroi “Jashtë kësaj bote”.

Humbja në Palermo sigurisht që erdhi si një surprizë për shumëkënd, por ishte gjithashtu e parashikueshme për një ekip që ka qenë në rënie të shpejtë qëkur mposhti Anglinë me penallti për të triumfuar në “Euro 2020” korrikun e kaluar. Skuadra që vendosi rekorde për fitore vitin e kaluar kishte fituar vetëm dy nga tetë ndeshjet e saj që atëherë, përfshirë humbjen e ndeshjes së parë në më shumë se tre vjet nga Spanja në Ligën e Kombeve.

“Triumfi ynë në Euro ishte plotësisht i merituar. Por më pas një pjesë e pasurisë që patëm në turne u shndërrua në një fat të keq total dhe të plotë”, tha trajneri i Italisë, Roberto Mancini. “Nuk di çfarë të them. Ndoshta as që duhej të kishim arritur deri në këtë pikë”.

Rastet e humbura

Italia ishte në kontroll të plotë të grupit të saj kualifikues për Kupën e Botës deri pas “Euro 2020”. Pikërisht atëherë nisi të zhdukej shënimi i golave. Italia barazoi katër nga pesë ndeshjet e saj të fundit, dhe ra e dyta në grup pas Zvicrës, që e siguroi kualifikimin automatik në Katar. Mundësitë e humbura i kushtuan shtrenjtë në ato ndeshje, veçanërisht kundër Bullgarisë, ku Italia pati 27 tentime karshi katër të bullgarëve. Gjithashtu, pati 71 për qind posedimin e topit, por megjithatë barazoi 1:1. I njëjti problem ishte edhe në plejof kundër Maqedonisë së Veriut. Italia kishte 32 goditje në portë, ndërsa mysafirët vetëm katër. Njëri prej tyre hyri, duke lejuar Maqedoninë e Veriut të kalojë në finalen e plejofit kundër Portugalisë të martën e ardhshme. Mungesa e shënimit të golave e kishte shqetësuar aq shumë Mancinin saqë ai thirri Mario Balotellin për një kamp treditor në janar, tre vjet pas paraqitjes së tij të fundit. Megjithatë, ai la jashtë sulmuesin kontrovers për plejofin e Kupës së Botës.

Penalltitë

Penalltitë shpëtuan Italinë në “Euro 2020”. Italianët mundën Spanjën në gjysmëfinale dhe Anglinë në finale nëpërmjet penalltive. Por dy tentime të dështuara të Jorginhos nga pika e bardhë në ndeshjet kualifikuese kundër Zvicrës, dolën të ishin fatale. Njëra ndeshje përfundoi 0:0, ndërsa tjetra 1:1. Nëse Italia do të kishte fituar njërën nga këto dy ndeshje, do të kishte përfunduar përpara Zvicrës dhe do të kualifikohej automatikisht në turneun e këtij viti në Katar.

“Sinqerisht, është e vështirë, sepse ne duhet të shikojmë realitetin dhe unë e vendos veten atje gjithashtu”, tha Jorginho pas ndeshjes të së enjtes. “Më dhemb kur mendoj për dy penalltitë, sepse unë ende mendoj për to dhe do të mendoj për to gjatë gjithë jetës sime, për fat të keq. Të ngjitesh atje dy herë dhe të mos jesh në gjendje të ndihmosh ekipin dhe vendin tënd është diçka që do ta mbaj me vete përgjithmonë dhe më rëndon shumë. Njerëzit thonë se tani duhet të ecim përpara, por ende dhemb”.

Serie A

Forma e dobët e Italisë kohët e fundit është pasqyruar në nivel klubesh në Serie A. Juventusi dhe Interi u eliminuan nga Liga e Kampionëve në 1/8 e finales, ndërsa Milani dhe Atalanta nuk e kaluan as fazën e grupeve. Asnjë klub italian nuk ka fituar një trofe evropian qëkur Interi fitoi Ligën e Kampionëve në vitin 2010. Për më tepër, ka një mosmarrëveshje të qartë mes klubeve dhe përfaqësueses. Serie A refuzoi kërkesën e Federatës italiane të futbollit për të ndryshuar kalendarin e saj dhe për të zhvendosur ndeshjet e ligës nga fundjava para plejofit, gjë që do t’i kishte lënë Mancinit më shumë kohë me lojtarët e tij.

“Është e qartë se ka gjithmonë rezistencë të madhe nga klubet ndaj përfaqësueses”, tha presidenti i federatës, Gabriele Gravina. “Përfaqësuesja shihet më shumë si një bezdi sesa diçka që bashkon një vend të tërë”.

Gravina pranoi se duhet të ketë reforma institucionale.

“Dështimi për t’u kualifikuar për herën e dytë rresht në Botëror na bën të kuptojmë se diçka duhet bërë në futbollin italian”, tha ai.