Dështuan në finale – por PSG do të fitojë më shumë para sesa Bayerni

Paris Saint-Germain (PSG), dështoi të shkruante historinë në të dielën e javës së kaluar, pasi u mposhtë në finalen e Ligës së Kampionëve nga Bayern Munichu.

Parisienët arritën për herë të parë në histori të tyre në finalen e garës më të madhe për klube në Evropë, mirëpo dështuan që të merrnin trofeun në duart e tyre.

Por, sipas asaj që raporton Swiss Ramble, PSG do të fitojë më shumë të holla se sa Bayerni që e fitoi të gjithë garën pa pësuar asnjë humbje që nga faza e grupeve.

Kampioni i Ligue 1 do të fitojë 119.7 milionë funte për arritjen e tyre në finale, derisa skuadra gjermane do të ketë dy milionë më pak (117.3 milionë funte).

Skuadra të tjera që do të fitojnë shuma të larta janë edhe Barcelona, me 104 milionë, Manchester City 89.4 milionë, Chelsea me 73.1 milionë, Liverpooli me 72.2 milionë, Tottenhami me 62.3 milionë.

Një pjesë e të hollave ndahen nga UEFA, derisa pjesa tjetër është nga të drejtat televizive, e që PSG kishte më të lartën.