Sunny Hill Festival

Dietologët tregojnë katër trende “të shëndetshme” që nuk duhet të ndiqen

Nga dieta të çuditshme deri te përbërësit që bëhen viralë, interneti shpesh u prezanton njerëzve “sekrete magjike për shëndetin” që në fakt mund të jenë të rrezikshme.

Dietologia Vanessa Rissetto i ka trajtuar disa nga këto mite ushqimore në një episod të podcastit “CAPS LOCK”, duke paralajmëruar për katër trende që duhen ndalur sa më shpejt, ka shkruar Eating Well.

1. Dieta Carnivore (dietë ekstreme ku konsumohet vetëm mish dhe produkte shtazore, duke përjashtuar plotësisht ushqimet bimore dhe gjithçka që nuk vjen nga kafshët).

Për këtë dietë, Rissetto ka thënë se ideja që duke ngrënë vetëm mish mund të humbësh peshë dhe të rritësh muskujt, është e rrezikshme dhe e paqëndrueshme.

“Është e rëndësishme të konsumojmë proteina, por ka shumë burime të tjera më të shëndetshme se mishi i kuq, si peshku, bishtajoret, djathi dhe arrat”, ka thënë ajo.

Konsumi i tepruar i mishit të kuq është i lidhur me rrezikun e kancerit të zorrës së trashë. Studime të fundit tregojnë lidhje mes mutacioneve në tumoret e zorrës dhe konsumit të rregullt të mishit të kuq e të përpunuar.

Sigurisht, është e pranueshme që çdo ushqim të konsumohet në masë mesatare, mishi i kuq ofron vitaminë B12 dhe hekur, por teprimi mund të çojë në mungesa të vlerave ushqyese në organizëm, kapsllëk dhe probleme të tjera.

“Modelet e balancuara të të ushqyerit janë gjithmonë zgjidhja më e mirë”, ka theksuar Rissetto.

2. Shmangia e perimeve “Nightshades”

Kohët e fundit në rrjet po qarkullon ideja se perimet si domatet, specat, patëllxhani dhe patatet e bardha, të njohura si “nightshades”, janë të rrezikshme për shëndetin.

Por dietologia ka thënë se kjo nuk është e vërtetë.

“Çfarë të ka bërë domatja ty?”, ka pyetur me humor Rissetto. 
Perimet e ashtuquajtura “nightshades” janë të pasura me substanca anti-inflamatore dhe lëndë ushqyese thelbësore. Vetëm ata persona që kanë intolerancë ndaj tyre duhet të shqetësohen.

“Ka mjaft kërkime që tregojnë se këto perime janë të mira për shëndetin”, ka theksuar ajo. Prandaj Rissetto thotë se nuk ka arsye për t’i hequr nga dieta.

3. Konsumimi i tepërt i proteinave

Proteinat janë bërë “ylli” e rrjeteve sociale, por shumica e njerëzve tashmë konsumojnë mjaftueshëm proteina çdo ditë.

“Nuk ke pse konsumon shumë proteina, pesha trupore nuk do të përfitojë prej tyre”, ka sqaruar Rissetto.

Trupi nuk përthith gjithë proteinën që njeriu konsumon, prandaj marrja e tepërt nuk sjell përfitime shtesë.

Proteina është e rëndësishme për forcën dhe ndjesinë e ngopjes, por ushqimet me fibra dhe antioksidantë, si frutat dhe perimet, janë po aq të rëndësishme.

“Nuk duhet t’i injorojmë ato vetëm se kanë më pak proteina”, ka theksuar ajo.

4. Pijet me Elektrolite

Pijet me elektrolite janë të dobishme pas një stërvitjeje të gjatë, në të nxehtë ose kur njerëzit janë të sëmurë, por shumë njerëz i konsumojnë edhe kur nuk është e nevojshme.

“Kur shkon në stërvitje 45-minutëshe, nuk ke nevojë të plotësosh elektrolitet, thjesht pi ujë”, ka thënë Rissetto.

Në shumicën e rasteve, uji është i mjaftueshëm për hidratim. Shumë pije me elektrolite kanë shumë sheqer të shtuar dhe nuk janë zgjedhja më e shëndetshme për përdorim të përditshëm.

Të ushqyerit shëndetshëm dhe aktiviteti fizik nuk duhet të jenë të komplikuara dhe nuk duhet të ndiqet çdo trend të ri në internet.

“Dieta e balancuar dhe jo e kufizuar është gjithmonë zgjedhja më e mirë”, ka thënë Rissetto.

Nëse nuk jeni të sigurt se cila dietë apo cili program ushtrimesh është i duhuri për ju, konsultohuni me profesionist të shëndetit ose me një dietolog për këshilla të personalizuara.