Në një shkrim nga viti 2012, i publikuar mbi temën “Globalizimi i Ballkanit Perëndimor: Krimi Transkombëtar, islami fundamental dhe aleancat e padrejta” në “OpenEdition Journals”, Ushtria Çlirimtare e Kosovës portretizohej si organizatë e lidhur me botën e krimit.
E bashkë-autor i këtij shkrimi është hiç më pak se tash kryetari i Kuvendit, Dimal Basha.
Shkrimi ka për bashkëautore Jana Arsovskan, e cila del të jetë ligjëruese e Sociologjisë në “John Jay College of Criminal Justice”, në New York, aty ku e ka përfunduar edhe Basha universitetin.
Sipas artikullit të Bashës dhe Arsovskës, UÇK-ja nuk mbështetej zyrtarisht nga asnjë shtet dhe duhej të mbështetej në burime të tjera alternative financimi.
“Sipas rasteve të hetuara, fondet për UÇK-në vinin nga shqiptarë të zakonshëm në diasporë, si dhe nga trafikantë droge që vepronin në të gjithë Evropën Perëndimore dhe ShBA. Kjo mbështetje nuk kufizohej vetëm në para, por trafikantët e drogës dërgonin gjithashtu njerëz të armatosur për të luftuar përkrah UÇK-së dhe blinin armë në emër të UÇK-së”.
“Ndërsa lidhja midis UÇK-së dhe krimit të organizuar është e vështirë të përcaktohet në mënyrë sasiore, ka raste gjyqësore të njohura nga Gjermania, Italia, Belgjika dhe Republika Çeke, të cilat sugjerojnë fuqimisht një lidhje midis trafikantëve të drogës dhe UÇK-së”, thuhet ndër të tjera në artikullin që për bashkë-autor ka Bashën, transmeton Klankosova.tv.
“Në Belgjikë, i ashtuquajturi shef i ‘mafisë shqiptare’ VH la plumba para dyerve të njerëzve nga diaspora shqiptare si një kujtesë se taksat ‘vullnetare’ që ata duhej të paguanin në mbështetje të qeverisë në hije dhe UÇK-së nuk ishin në të vërtetë ‘vullnetare’. Mbijetesa e UÇK-së varej nga financimi i ofruar nga banditët patriotë që vepronin përtej kufijve. Të ashtuquajturat taksa vullnetare u dërgoheshin organizatave humanitare, të tilla si Vendlindja Thërret”, thuhej ndër të tjera në këtë artikull.
Tutje ky artikull, luftën në Kosovë e cilëson si “konflikt etnik”, i cili sipas tyre, legjitimoi dhe mbështeti lidhjen ndërkombëtare kriminale-politike të Kosovës në emër të ndërtimit të kombit.
“Konflikti u dha kriminelëve një mundësi për çlirim episodal nga kufizimet morale. Për më tepër, agjencitë perëndimore të inteligjencës gjithashtu mbyllën sytë ndaj lidhjes kriminale-politike që po shfaqej në Kosovë. Që nga fillimi i viteve 1990, shumë veta kanë qenë të vetëdijshëm për lidhjen midis UÇK-së dhe trafikantëve të drogës. Pas përfundimit të luftës së Kosovës, u raportua se Kosova u bë tokë pjellore për trafikantët e drogës dhe se sasitë e heroinës së trafikuar përmes Kosovës u dyfishuan”.
“Pas konfliktit, vetë UÇK-ja u shpërbë zyrtarisht, megjithatë, shumë nga ish-komandantët e UÇK-së shpejt vunë një kapelë tjetër dhe u futën në politikë. Me politikën erdhi edhe krimi. Ish-komandantët e UÇK-së shpesh pretendojnë se të gjitha akuzat kundër tyre janë vepër e komploteve të huaja”, u tha mes tjerash në artikull.
Për ta lexuar të plotë artikullin e shkruar nga tash kryetari i kuvendit, Dimal Basha dhe Jana Arsovska, klikoni KËTU.