Sunny Hill Festival

Distria Krasniqi, nënkampione e botës në xhudo

Distria Krasniqi është nënkampione e botës në xhudo.

Sukesin e madh, garuesja kosovare e arriti të shtunën në Botërorin që po mbahet në Budapest të Hungarisë. Në finale të kategorisë deri 52 kilogramë, Distria u mposht nga legjenda japoneze, Uta Abe. Ndaj saj dominoi për kohë të gjatë, por Abe në minutën e fundit realizoi hedhje për Ippon.

Lufta në përgjithësi ishte e fortë, por Abe në një moment sërish dëshmoi se pse është prej xhudisteve më të mira në histori.

Distria ishte bartësja e dytë e kategorisë deri 52 kilogramë dhe njëra prej favoriteve kryesore. Ashtu si pritej, arriti në finale ku përballë e kishte japonezen e jashtëzakonshme. Ndaj saj i kishte humbur tri përballjet e kaluara.

29-vjeçarja Krasniqi në xhiron e parë ishte e lirë, ndërsa në të dytën e mposhti bindshëm brazilianen Jessica Pereira. Lufta ndaj saj zgjati saktësisht dy minuta. Me të nisur lufta, Distria realizoi hedhje për Yuko. Vazhdoi sulmet dhe më pas realizoi hedhje për uazari e më pas edhe për Ippon.

Edhe në luftën e dytë xhudistja e kryemjeshtrit Driton Kuka ishte bindëse. Përballë e kishte Francine Echevarrian e Porto Rikos. Ajo i mori tri dënime rresht dhe kështu fitorja me Ippon i takoi xhudistes pejane.

Në çerekfinale, Distria u përball me xhudisten hungareze Reka Pupp. Lufta ishte e fortë dhe zgjati katër minuta, kurse Pupp kishte përkrahje të madhe nga shikuesit. Krasniqi fitoi me një “Yuko” e një uazari.

Ndërkohë në gjysmëfinale sportistja më e mirë shqiptare u ndesh me spanjollen Ariane Toro Soler. Spanjollja shmangu vazhdimisht luftën dhe shpejt pësoi tri dënime, që i mundësuan Krasniqit fitore me “Ippon” dhe që për herë të parë të kualifikohet në finale të Kampionatit Botëror për të rritur.

Suksesi i së shtunës është prej më të mëdhenjve, por jo më i madhi për Distria Krasniqin. Kulmin e arriti në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, të mbajtura në vitin 2021 për shkak të pandemisë. E fitoi të artën në kategorinë deri 48 kilogramë. Në “Parisi 2024”, Distria fitoi medalje të argjendtë olimpike. I ka edhe dy të bronzta botërore, tri të arta evropiane, dy të argjendta e tri të bronzta. Në garat tjera të xhudos, Masters, Grand Slam e Grand Prix, numri i medaljeve të saj është shumë i madh.

Për Kosovën, përkatësisht për ekipin e kryemjeshtrit Kuka, Botërori tashmë është tregim suksesi. Por të tjera medalje synohen me Akil Gjakovën e Laura Fazliun. Akili garon të dielën në kategorinë deri 73 kilogramë, ndërsa Laura të hënën në kategorinë deri 63 kilogramë.