Drita synon ta befasojë Legian që nuk po kalon ditë të mira

Ardian Nuhiu nuk e kishte problem të thoshte se Drita është favorite përballë Sileksit të Maqedonisë së Veriut, skuadër të cilën e eliminoi në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Evropës. Por tani Nuhiu pranon se favorite është Legia, skuadër me të cilën do të luajë të sonte (20:30) në Varshavë të Polonisë.

Megjithatë trajneri shkupjan, Nuhiu, insiston se do ta bëjë të pamundurën që të kalojnë tutje. Për një gjë të tillë shpreson të kenë edhe fat. Dueli Legia – Drita i takon raundit të tretë kualifikues të Ligës së Evropës. Fituesi në plejof do të përballet me Qarabagun e Azerbajxhanit.

“Kemi përballë një kundërshtar shumë të fortë, me shumë cilësi brenda grupit. Por, ne do të mundohemi ta bëjmë më të mirën dhe në asnjë moment nuk do të dorëzohemi, do të provojmë dhe nëse pak na jepet rasti do ta shfrytëzojmë për ta befasuar Legian. Ndërrimi i trajnerit nuk më pëlqeu, sepse ne e kishim studiuar kundërshtarin dhe me ekipin që paraqitej në ndeshjet e fundit. Por, tash me ndërrimin e trajnerit gjërat mund të ndryshojnë. Megjithatë, ne do të synojmë ta kalojmë këtë raund të garave, pse jo”, ka thënë Nuhiu të mërkurën për KOHËN.

Për Dritën kjo do të jetë hera e parë që do të luajë në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës. Në fakt, Drita është ekipi i parë nga Kosova që ka arritur deri në këtë raund, duke e shkruar historinë në futbollin kosovar. Kalimin në këtë raund Drita e siguroi pas fitores që e regjistroi javën e shkuar në Shkup kundër Sileksit me rezultatin 2:0. Kampionia e Kosovës i ka vazhduar garat në Ligën e Evropës pas eliminimit në Ligën e Kampionëve. Edhe sulmuesi Kastriot Rexha e vlerëson të vështirë përballjen me Legian, por thotë se në Varshavë nuk kanë udhëtuar me flamur të bardhë. Rexha ka insistuar se Drita do të luftojë deri në fund të ndeshjes për ta kaluar edhe këtë pengesë në mënyrë që ta prekë plejofin e Ligës së Evropës, që është një ndeshje larg kualifikimit në fazën e grupeve për sezonin 2020/21.

“Për ne është një ndeshje e vështirë, më e vështira deri më tash duke marrë parasysh forcën e kundërshtarit që e kemi përballë. Mirëpo, ne e kemi analizuar mirë kundërshtarin dhe nuk kemi udhëtuar të dorëzuar për këtë takim. Shpresoj të jemi me fat dhe pse jo të ndodhë ndonjë befasi të kalojmë tutje. Te Legia ka pasur ndryshime së fundi dhe kjo na ka bërë që analiza e ndeshjeve të kaluara të na shkojë ndoshta huq, pasi nuk e di tash trajneri i ri se çfarë fryme sjell në ekip. Mirëpo, ata janë lojtarë profesionistë dhe nuk është se do të luajë rol të madh ndërrimi i trajnerit, ndoshta do ta luajnë ndeshjen e njëjtë, shpresoj”, është shprehu Rexha për KOHËN.