Pas muajsh spekulimesh, këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, më në fund ka konfirmuar publikisht fejesën e saj me aktorin britanik Callum Turner.
Ylli i muzikës pop, që mbush 30 vjeç në muajin gusht, tregoi për herë të parë emocionet e saj që nga momenti kur Callum, 35 vjeç, u ul në gjunjë për t’i propozuar, shkruan DailyMail.
“Po, jemi të fejuar. Është shumë emocionuese”, tha ajo për British Vogue. “Ky vendim për t’u plakur bashkë, për të ndarë jetën dhe për të qenë thjesht, nuk e di… shokët më të mirë përgjithmonë — është një ndjesi jashtëzakonisht e veçantë”.

Lajmet për propozimin romantik dolën në fund të vitit të kaluar, dhe që atëherë, Dua është parë shpesh me një unazë diamanti vezulluese në dorë.
Sa i përket planeve për martesë, ajo u shpreh se dëshiron të përfundojë turneun e saj dhe që Callum të mbyllë angazhimet në xhirime para se të martohen.

Megjithëse ceremonia e martesës nuk ka qenë në fokus për shkak të agjendës së saj të ngarkuar, Dua pranoi se ka nisur të mendojë për fustanin e nusërisë.
“Dua të përfundoj turneun tim, Callum është në xhirime, kështu që po e shijojmë këtë periudhë. Asnjëherë nuk kam qenë nga ato vajzat që kanë ëndërruar për dasmën apo kanë menduar çfarë lloj nuseje do të ishin. Por tani papritur po pyes veten: ‘Çfarë do të vesh?’”.
Dua tha se është “e fiksuar” pas unazës së fejesës dhe shtoi: “Është bukur ta dish që personi me të cilin do ta kalosh jetën të njeh aq mirë”.
Dua dhe Callum u lidhën për herë të parë në janar 2024 dhe thuhet se u fejuan gjatë periudhës së Krishtlindjeve të po atij viti.

Ajo gjithashtu zbuloi dëshirën për të krijuar familje, megjithëse pranoi se nuk është e sigurt se kur do të ishte koha e duhur për shkak të angazhimeve në muzikë.
“Do të më pëlqente të kem fëmijë një ditë. Por gjithmonë lind pyetja: kur do të ishte koha e duhur? Si do të përshtatej kjo me punën time, me turnet, dhe sa kohë do më duhej të shkëputesha?”.
“Mendoj se është një nga ato gjëra që thjesht ndodhin kur është momenti. I dua fëmijët, por e di se ka shumë më tepër për të rritur një fëmijë sesa thjesht ta duash”.

Dua tregoi edhe për fillimet e njohjes së saj me Callum, duke i quajtur “momente fati” ato rastësi ku ndodheshin në të njëjtin vend pa e ditur. Më në fund u prezantuan në restorantin River Cafe në Londër.
Një vit më vonë, ajo ishte në darkë në Los Angeles me mikun e saj Mustafa the Poet, kur papritur Callum u shfaq aty.
“Mendova: ‘Ah, është ai djali shumë simpatik nga River Cafe’”, rrëfeu ajo.

Gjatë bisedës, të dy zbuluan se rastësisht po lexonin të njëjtën libër – romanin Trust të Hernan Diaz.
E pyetur nëse mendon se ishin të destinuar të ishin bashkë, Dua u përgjigj: “Njëmijë për qind”. Thashethemet për lidhjen e tyre nisën në janar 2024, kur të dy morën pjesë në një festë pas-premiere në Londër për serialin Masters of the Air.
Para se të bënte publike marrëdhënien me Callum, Dua kishte rrëfyer gjatë promovimit të albumit të saj Radical Optimism se iu desh të rifitonte vetëbesimin pas disa lidhjeve që kishin përfunduar keq.
Në një intervistë me Zane Lowe për Apple Music 1, ajo tha: “Në aspektin e marrëdhënieve, më është dashur të arrij në këtë pikë për të kuptuar çfarë kisha realisht nevojë. Duhet të jesh në procesin e faljes, të rritjes, të mësimit, dhe të pajtimit me të kaluarën për të qenë gati për atë që vjen më pas.
Për mua, kënga Happy For You është shumë e bukur dhe e lumtur, sepse pasqyron udhëtimin tim personal. Me çdo marrëdhënie, çdo përvojë, mëson diçka për veten – çfarë të lëndon, çfarë pret, çfarë duhet të japësh edhe vetë.

Gjithçka lidhet me shkëmbimin e ndërsjellë të ndjeshmërisë.
Kam pasur marrëdhënie që më kanë lënduar thellësisht, sidomos në fillim, ku jam ndier jo mjaftueshëm e mirë apo ku kam humbur vetëbesimin dhe më është dashur ta rifitoj sërish.
Ti mëson për kufijtë e tu të panegociueshëm. Kjo është shumë e rëndësishme. Është natyrisht çështje e personit të duhur, por mbi të gjitha e marrëdhënies së duhur.
E gjen këtë qartësi si në miqësi ashtu edhe në dashuri”.