Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot rreth orës 12:30 në rrugën “Ibrahim Rugova” në Gjilan, ku dy persona kanë mbetur të vdekur dhe dy të tjerë janë plagosur pas një të shtëne me armë zjarri.
Ngjarja dyshohet të jetë kryer nga një person mashkull, shtetas i Kosovës, i njohur për Policinë e Kosovës, i cili për momentin ndodhet në arrati.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani tha se autoritetet janë vënë në kërkim të të dyshuarit.
“Sot, më 10.08.2025, rreth orës 12:32, dyshohet se ka ndodhur një rast vrasje dhe plagosje me armë zjarri në rrugën ‘Ibrahim Rugova’ në Gjilan. Mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e dy personave në vendin e ngjarjes, ndërsa dy të tjerë janë plagosur dhe janë dërguar në Qendrën Emergjente në Gjilan për trajtim mjekësor,” tha Hashani.