Dybala pritet të vazhdojë kontratën me Juventusin

Paulo Dybala është shumë afër që të firmosë kontratë të re me Juventusin të vlefshme deri në verën e vitit 2025, shkruan “Sportmediaset”.

Argjentinasi ishte afër largimit nga Torino verën e vitit të kaluar, por tash është i gatshëm për të firmosur kontratë afatgjate. Dybala 26-vjeçar te Juventusi gjendet që nga vera e vitit 2015, kur u transferua nga Palermo për 40 milionë euro. Kontrata e tij aktuale me Juventusin skadon në verën e vitit 2022.

Verën e vitit të kaluar Dybala ishte pranë transferimit në Premier League. Manchester Unitedi e Tottenhami ishin në garë për të.