Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci është duke u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit në Prokurorinë Speciale.
Burimet e Paparacit thojnë se Peci po merret në pyetje për grantet e ndara nga Ministria e Bujqësisë në kohën sa ai udhëhiqte me këtë dikaster qeveritar.
Intervistimi i ish-ministrit të Bujqësisë është duke vazhduar, transmeton Klankosova.tv.
Prokuroria Speciale ka intensifikuar hetimet për “grantet” e Ministrisë së Bujqësisë, nga të cilat dyshohet se përfituan familjarë të pushtetarëve, përfshirë vëllain e ish-deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli.
Në kuadër të thellimit të hetimeve për këtë rast, Prokuroria Speciale ka intervistuar të enjten ish-deputeten Pacolli, tha ky medium.
Afera e granteve të Ministrisë së Bujqësisë “shpërtheu” në nëntorin e vitit 2024, kur eksponentë opozitarë hodhën dyshime për keqpërdorimin e qindra mijëra eurove në emër të granteve në bujqësi.
Sipas denoncimeve që erdhën nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Ministria e Bujqësisë i kishte dhënë grant në vlerë rreth 100 mijë euro kompanisë “Alda Farm Ria” në pronësi të Blerim Pacolli, vëllait të ish-kryetares së Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Fitore Pacollit.