Edhe 23 raste të reja me koronavirus në Kosovë, shkon në 250 numri i të prekurve

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHP), ka njoftuar se janë konfirmuar edhe 23 raste të reja me koronavirus. Në total numri i të prekurve në Kosovë ka shkuar në 250, me 7 persona të vdekur, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 52, shkruan Gazeta Stop.

“Sot më 10 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 189 mostra të marra nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore. Nga mostrat e marra për testim në virusin SARS-CoV-2, gjithsej 23, prej tyre kanë rezultuar pozitive. Rastet pozitive janë raste kontakti, 18 raste nga komuna Ferizaj (8 Sazli, 3 qytet Ferizaj, 2 Mirash, 1 Varosh, 1 Greme, 1 Talinovc i Muhaxherëve, 1 Neredime dhe 1 Lloshkobare), 2 raste Viti, 1 rast Hani i Elezit, 1 rast Prizren dhe 1 rast Prishtinë”, thekson IKSHPK.

Po ashtu IKSHPK ka njoftuar se janë të shëruar edhe 14 pacient, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 52.

“Nga data 08 shkurt deri më 10 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 2.876 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej dyqind e pesëdhjetë (250) me 7 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese”.

Nga data 13 mars 2020 kur janë konfirmuar dy rastet e para, deri me 10 prill 2020 gjithsej 250 raste pozitive të konfirmuara për virusin SARS-CoV-2.