Escobari takon liderët e opozitës

Krerët e partive politike opozitare, PDK, LDK dhe AAK, kanë mbajtur të mërkurën mbrëma takim me emisarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se komunikimi me aleatët është i domosdoshëm për t’i avancuar interesat e Kosovës.

“Kosova, çdo fitore dhe çdo sukses në rrugën e çlirimit, pavarësisë dhe shtetndërtimit e ka arritur me SHBA-të, prandaj, partneriteti ynë është i paalternativë edhe në rrugën e së ardhmes drejt integrimit euro-atlantik”, ka shkruar ai në Facebook.

Escobar ndodhet për vizitë në Kosovë, ku gjatë ditës është takuar me presidenten Vjosa Osmani.

Diplomati amerikan ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës që Manastirit të Deçanit t’i jepen tokat, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ai ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia zbatimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit, derisa nënvizoi se nuk po i kërkohet vetëm Kosovës të marrë vendime të vështira në kuadër të kësaj ujdie, por edhe Serbisë.