Flet Besnik Tahiri, pas shpalljes së kandidaturës për kryetar të Podujevës

Besnik Tahiri, ka folur rreth kandidaturës së tij për kryetar të Komunës së Podujevës.

Tahiri, gjithashtu ka dhënë dy arsye pse kandidaturën e ka shpallur kaq herët.

“Me bindje të plotë kam vendosur të paraqes kandidaturën për Kryetar të Komunës së Podujevës. Kandidatura ime shpreh vullnetin dhe dëshirën time dhe të Aleancës, që gjithë dijen, përvojën e përkushtimin t’ia jap qytetit tim të lindjes dhe qytetarëve të tij”, tha Tahiri.

Postimi i plotë: 

Të dashur llapjanë,

Me bindje të plotë kam vendosur të paraqes kandidaturën për Kryetar të Komunës së Podujevës. Kandidatura ime shpreh vullnetin dhe dëshirën time dhe të Aleancës, që gjithë dijen, përvojën e përkushtimin t’ia jap qytetit tim të lindjes dhe qytetarëve të tij. 

Kjo kandidaturë, vjen shumë më herët për dy arsye: e para, se kam hyrë në garë me seriozitetin më të lartë, dhe e dyta, se garoj për fitore. Në këta muaj, do të identifikoj, analizoj e hartoj programin politik, jo vetëm si përgjigje ndaj problemeve, por para së gjithash, si mundësi për një prespektivë të re qeverisëse e zhvillimore. 

Do t’i konsultoj të gjithë ata që duan dhe besojnë në ndryshimimin e vërtetë, pa dallim rreshtimesh e flamujve partiakë. Kjo garë, e ky projekt nuk do të jetë i zakonshëm e as i një partie. Por, një moment e mundësi që së bashku ta kapim hapin e ndryshimit.

Ju siguroj se gara, programi e ekipi, do të jenë model, ndërkaq ballafaqimi, do të jetë vetëm mbi programin e vizionin. Besoj, se ndryshimi është i vërtetë, vetëm kur ka objektiva të qarta e njerëz të përkushtuar. E kundërta është improvizim.