Deputetë opozitarë dhe përfaqësues biznesesh shprehën “frikë”, nga nisma e Qeverisë për hartimin e Projektligjit të ri për Çmimet Tavan, që është një prej dy prioriteteve të agjendës legjislative të Qeverisë. Ata kërkuan të respektohen gjetjet e Gjykatës Kushtetuese, e cila e pati shpallur atë të pavlefshëm më 2023.
Pas inicimit të procedurës, deputetë e përfaqësues të bizneseve e theksuan rëndësinë që çdo ndërhyrje në treg të jetë brenda kornizës kushtetuese dhe të mos e cenojë ekonominë e lirë të tregut.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, tha se në fokus duhet të jetë mbrojtja e konsumatorit, pa i dëmtuar bizneset.
“Qeveria nuk do të duhej ta bënte gabimin që ka bërë herën e parë, që të bjerë ndesh me Kushtetutën dhe me të gjitha parimet dhe të drejtat e të bërit biznes dhe të mënyrës së tregtisë. Në këtë relacion ne inkurajojmë që Kosova të ketë stabilitet dhe kontroll mbi gjithçka, por brenda kornizës ligjore”, ka thënë Shala.
E kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, shprehu pritjen që projektligji i ri të mos cenoj tregun e lirë.
“Tash ky projektligj i ri i iniciuar, mendoj që do të ketë përmirësime dhe avantazhe qoftë për konsumatorin, qoftë për biznesin, edhe për shtetin. Prandaj, do të duhet të merren praktikat më të mira të vendeve në Evropë, në Ballkan dhe në vende të tjera ku ky ligj mund të jetë si model, por asnjëherë me cenu ekonominë e lirë të tregut. Asnjëherë sepse Kushtetuta e garanton një gjë të tillë”, ka thënë Shahini.
Ai i kërkoi Qeverisë që hartimi i projektligjit të bëhet në bashkëpunim edhe me akterë të fushës.
“Ky ligj do të duhet të jetë në biseda publike, në dialog publik me institucionet e ndryshme të pavarura, qoftë me përfaqësues të bizneseve, qoftë me biznese, me ekspertë të fushave, në mënyrë që ligji vërtet kur të shkojë mos të kthehet edhe një herë sepse e humb kuptimin dhe e humb të drejtën që një ligj të shkojë tri herë dhe mos të aprovohet apo mos bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë ai.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, njoftoi të premten se pas miratimit të agjendës legjislative në Qeveri, e nënshkroi inicimin e procedurës për Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në rast të krizave ekonomike.