Një nga kompanitë më të njohura vendore dhe ndërkombëtare, Frutex, e cila prodhon pijet e famshme energjike “Golden Eagle”, tashmë ka një libër të dedikuar historisë së saj.
Autori Bajram Palushi ka sjellë në letër rrugëtimin e kësaj kompanie që nga fillimet e saj modeste e deri në suksesin global që gëzon sot.
Në një postim, Palushi ka shkruar se libri është shkruar me shumë dashuri dhe përkushtim, duke përmbledhur një histori pune, vizioni dhe besimi në sukses.
“Me shumë dashuri dhe përkushtim kam shkruar këtë libër për rrugëtimin e Frutex-it, një histori pune, vizioni dhe besimi në sukses.
Ky libër është një reflektim mbi sakrificën, pasionin dhe përkushtimin që e kthyen një ëndërr në realitet.
Faleminderit të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e këtij udhëtimi!” – ka shkruar autori Bajram Palushi.
Frutex është një nga kompanitë më të suksesshme në Kosovë, me aktivitet të gjerë në prodhimin e pijeve joalkoolike. Pija energjike Golden Eagle, produkti më i njohur i saj, eksportohet në dhjetëra vende të botës, duke e kthyer markën në një simbol të krenarisë dhe suksesit kosovar në tregjet ndërkombëtare.
Ky libër pritet të shërbejë si një dëshmi e rrugëtimit të një vizioni të guximshëm, që nga një ndërmarrje lokale u shndërrua në një histori frymëzuese suksesi.