Fushata anti-mashtrim e BKS synon të ulë numrin e mashtrimeve për ‘aksidentet’ e inskenuara


Byroja Kosovare e Sigurimeve ka nisur fushatën Anti-Mashtrim, që synon që rastet kur tentohet të mashtrohet duke fituar jashtëligjshëm, t’i ulin këtë dukuri në pikën zero.

Zyrtarë të BKS i kantë thënë GazetaScanner, se janë optimiste në këtë fushatë, pasi, sipas tyre, në fillim rezultatet janë të mira, por shpresojnë se në të ardhmen do të ketë rezultate edhe më të mira të këtij procesi.

Duke përmendur edhe fushatat tjera sensibilizuese për opinionin publik, zyrtarë të BKS thonë se edhe fushata Anti-Mashtrim, do ta ketë efektin e vet, pasi që, sipas BKS-së, “sistemi tashmë ka dhënë rezultatet në praktikë, dhe besojmë së në të ardhmen, do të jetë edhe më efikas në identifikimin e rasteve kur kemi të bëjmë me mashtrime”.

Në pyetjen e GazetaScanner se cilat janë arsyet e kësaj fushate dhe çka pritni nga kjo fushatë, nga BSK thonë se bazuar “në të dhënat që ne i disponojmë, shuma që kompanitë e sigurimeve paguajnë për rastet kur dyshohet se bëhet fjalë për aksidente të inskenuara, është i lartë”.

“Që nga fillimi i këtij viti BKS-ja ka nisur me fushata të shumta që kanë për qëllim sensibilizimin e opinionit publik, e një ndër to është edhe fushata Anti-Mashtrim. Bazuar në të dhënat që ne i disponojmë, shuma që kompanitë e sigurimeve paguajnë për rastet kur dyshohet se bëhet fjalë për aksidente të inskenuara është i lartë. Ne tashmë kemi identifikuar rastet, dhe ato i kemi dorëzuar në organet e hetuesisë”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Bazuar në atë se sa do të jetë funksionale ky sistem, pasi që kemi një rritje të frikshëm të kompensimeve të lehta, nëse krahasojmë vitet, duke filluar nga viti 2012 me 6. 483 aksidente me të lënduar që kanë kërkuar kompensim, dhe viti 2022 me 12.944 sosh, zyrtarë të BKS i thanë Scanner se sistemi tashmë ka dhënë rezultatet në praktikë, dhe besojnë së në të ardhmen do të jetë edhe më efikas në identifikimin e rasteve kur kemi të bëjmë me mashtrime.

Pyetjes se bazuar në funksionimin e këtij sistemi Anit-Mashtrim, a mund të korrespondojë që një person ka kërkuar më shumë se një herë kompensim për dëmet që i janë shkaktuar, nga BSK thonë se një person mund të kërkojë kompensim më shumë se për dëmin që iu është shkaktuar, dhe nuk do të thotë se tenton të bëjë mashtrim, por dhe nuk do të thotë që do të jetë subjekt trajtimi nga ana e tyre.

Por, sipas tyre, përmes sistemit i cili ndërlidh rastet e raportuara nëpër kompani, identifikohen personat që synojnë të përfitojnë jashtëligjshëm nga kompanitë e sigurimeve. “Ta zëmë, personi i njëjte me automjet të njëjtë më lëndime të njëjta, kërkon kompensim për dy, tre apo më shumë kompani për aksidente të lehta të shkaktuara në komunikacion”.

Cilat janë rezultatet që synon t’i arrijë përmes sistemit Anit-Mashtrim, sipas BKS për një kohë ka pasur numër të madhe të automjeteve të paregjistruara në vend dhe “përmes fushatave dhe angazhimeve tona të shumta, kemi arritur që numrin e automjeteve të paregjistruara të ulim nën 5 %”.

“Ne, synojmë që edhe në rastet kur tentohet të mashtrohet, duke fituar jashtëligjshëm, ta ulim në pikën zero. Në fillim rezultatet janë të mira, e ne shpresojmë edhe në rezultat edhe më të mira”, thonë në BSK.

Por, a mund të jenë të përfshirë në “mashtrime”, apo sa mund të jenë të involvuar instancat tjera të sistemit publik si zyrtarët policor, mjekët apo grupe të tjera të interesit, zyrtarë të BSK rezervohen të japin përgjigje, pasi, sipas tyre, derisa rastet janë tashmë duke u hetuar nga organet e drejtësisë, nuk mund të japin më shumë informata.

Byroja Kosovare e Sigurimeve ka raporte të shkëlqyeshme të bashkëpunimit me të gjitha institucionet e rëndësishme brenda vendit, ashtu edhe me institucione që përfaqësojnë industrinë e sigurimeve në vende të rajonit, por edhe më gjerë.

Të pyetur se nëse kompanitë e sigurimeve kanë pasur informacione për këtë fenomen të mashtrimeve, pse atëherë ato kanë heshtur deri më tani, në BSK thonë se në rastet kur është dyshuar asnjëherë nuk është heshtur, por tashmë përmes sistemit, identifikimi i rasteve është më i lehtë.

“Në të kaluaren, nuk ka qenë në funksion një sistem i tillë, dhe ne nuk disponojmë të dhëna për secilën kompani veç e veç, rreth rasteve të mundshme që këta i kanë dorëzuar në organet e hetuesisë”.

Zyrtarë të BSK besojnë se si çdo fushatë tjetër, që ka dhënë rezultatet e saja në praktikë, edhe fushata Anti Mashtrim dhe sistemi do të jetë efikas, në eliminimin e kësaj dukurie që dëmton kompanitë e sigurimeve në vendin tonë.