Gërxhaliu: Hapja e temës për ‘Kosovën e Re’ hap i qëlluar i qeverisë

Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu thekson se kabineti i ri qeveritar është në situatë të palakmueshme për faktin se jemi në kohë pandemie dhe kjo e vështirëson edhe më tepër aktualitetin politik, ekonomik dhe social në Kosovë.

Ai po ashtu tha se në qoftë se zhvillimi ekonomik duhet të jetë një ndër prioritetet, sepse, sipas tij, në qoftë se në këtë orientim dështojmë atëherë ekonomia e Kosovës do të jetë e zymtë

“Është e vërtetë që kabineti i ri qeveritar është në një situatë të palakmueshme nga vet fakti që e kaluara trashëgon probleme të shumta dhe për faktin se jemi në kohë pandemie nga koronavirusi, kjo vështirëson edhe më tepër aktualitetin politik ekonomik dhe social në Kosovë. Është sfidë e cila kërkon angazhim të gjithë akterëve në vend, kërkon unitet politik dhe mbi të gjitha orientim të përbashkët që zhvillimi ekonomik të jetë një ndër prioritetet , sepse në qoftë se në këtë orientim dështojmë atëherë ekonomia e Kosovës do të jetë e zymtë”, tha Gërxhaliu.

“Nuk e besoj se do të ketë arsye që të bëhet vlerësimi i kabinetit qeveritar Hoti për 100 ditë e para, nga fakti që është trashëguese shumë probleme por duhet vërtetë të mendojmë për shtet më tepër se sa për një pari politike, të mendojmë për integrim dhe definitivisht rimëkëmbja ekonomike të jetë një alternativë të mos ballafaqohemi me pandemi ekonomike dhe sociale. Në këtë drejtim janë marrë disa vendime të cilat mbjellin optimizëm që janë në kohën e duhur por ajo çfarë është më e rëndësishme duhet të jemi të orientuar në projekte kapitale”, tha ai.

Gërxhaliu ka kërkuar nga qeveria e re që sundimi i rendit dhe ligjit të jetë një ndër prioritet dhe parakushtet për të pasur zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Sipas tij qeveria e re në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar, në veçanti SHBA-në, të përpiqet të arrij një zgjidhje afatgjate dhe njohje reciproke me Serbinë.

“Arritja e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë hapë rrugë për paqe afatgjate në Ballkan dhe Evropë”, tha ai.