Gërxhaliu: Marrëveshja eventuale Kosovë-Serbi, etapë e re për Ballkanin

Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu vlerëson se takimet e parapara në Uashington dhe në Bruksel janë dy mundësi të cilat duhet shfrytëzuar.

Gërxhaliu beson që një marrëveshje e tillë në Uashington apo kudo që të ndodhë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të ketë rëndësi multidimensionale. “Marrëveshja do të ketë rëndësi politike, ekonomike-sociale, integruese por edhe psikologjike sepse më në fund do të përmirësohet edhe imazhi i Ballkanit Perëndimor. Derisa të lirohet Kosova nga Serbia dhe Serbia nga Kosova nuk do të ketë stabilitet në Ballkanin Perëndimor”, ka theksuar Gërxhaliu për RTKlive.com. 

Sipas tij në radhë të parë duhet të kuptohet që dialogu Kosovë-Serbi nuk ka alternativë dhe duhet që shumë më tepër të dialogohet dhe t’i jepet prioritet dialogimit sesa e kundërta e dialogimit që është lufta.

“Në këtë drejtim besoj që takimet e parapara në Uashington dhe në Bruksel janë dy mundësi të cilat duhet shfrytëzuar. Vërehet një çasje serioze në faktorin ndërkombëtar qoftë me SHBA-të qoftë me BE-në dhe besoj që është një momentum i ri ku problemet e së kaluarës duhet t’i takojnë të së kaluarës dhe jo ato probleme të na përcjellin”, tha ai.

Po ashtu, Gërxhaliu tha se me një marrëveshje të tillë është e paraparë një pako financiare e cila është një mundësi që projektet kapitale të jenë prioritet edhe në Kosovë por edhe në Serbi. 

“Vetë fakti që është paraparë edhe një pako financiare që do të mbështes këtë marrëveshje që llogaritet afër 20 miliardë euro është një mundësi që projektet kapitale të jenë prioritet edhe në Kosovë por edhe në Serbi dhe përmes tyre të krijohen vende të reja të punës, të investohet në edukim, në shëndetësi, të investohet në ambientalizëm dhe mbi të gjitha në Qendra Inovative ku të rinjtë nuk do të ketë nevojë të ikin dhe të braktisin këto troje por të mbeten këtu ku janë. Prandaj, besoj që është koha ku duhet politikanët e të dyja palëve t’i mësojnë tri fjalë bazike në negocim, është fjala fleksibilitet, fjala kompromis dhe është fjala sakrificë. Që të trija këto duhet të shfrytëzohen dhe të jenë në funksion të marrëveshjes”, shtoi ai.