Gjendja e punëtorëve të KEK-ut, të infektuar me koronavirus, stabile

Nëntë punëtorë të Korporates Energjetike të Kosovës janë të infektuar me koronavirus, e si shkak i kësaj edhe shumë të tjerë iu nënshkruan testimit për virus.

KEK nëpërmjet një komunikate për media, sot ka njoftuar se të gjithë punëtorët e testuar kanë rezultuar negativ.

Ushtruesi i detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv të KEK-ut, Luigj Imeri, ka thënë që gjendja e të infektuarve është stabile.

“Nëntë persona janë të infektuar me Covid 19. Për ata po kujdesemi në vazhdimësi dhe po pyesim edhe për gjendjen e familjes së tyre”.

“Gjendja e tyre është stabile. Po qëndrojnë në shtëpi, janë të izoluar. Edhe ata që kanë dalë negativ janë të izoluar”.

Imeri në Edicionin Special në Klan Kosova, ka thënë që lajmi i mirë është që pas testimit rreth 40 persona kanë rezultuar negativ.

“Pandemia e ka atakuar edhe KEK-un dhe në momentin që ne e kemi identifikuar një person me këtë sëmundje, në bashkëpunim me IKSHPK-në, kemi marrë masat. Pas një testimi, rreth 40 punëtorë kanë rezulutar të gjithë negativ”.