Gjendje e rënduar me COVID-19, vjen lajmi i fundit nga Klinika Infektive

Gjendja me Covid-19 në Kosovë po vazhdon të jetë e rënduar.

Vetëm gjatë ditës së djeshme  në vend janë raportuar rekord infektimesh, ku nga  tre mijë e 470 mostra, janë regjistruar 923 raste pozitive me virusin Sars-Cov2, derisa kanë vdekur 14 persona.

E, gjendje më e rëndë po paraqitet në Klinikën Infektive, ku tashmë që një kohë nuk ka mbetur asnjë shtrat i lirë.

Kjo për shkak, se edhe ata shtretër që po lirohen brenda ditës po zëvendësohen menjëherë me pacientë të tjerë që po sillen në Klinikën Infektive.

Që gjendja në këtë klinikë është e vështirë, e ka pranuar edhe infektologu, Murat Mehmeti.

Mehmeti, për Front Online ka thënë se fluksi i pacientëve është mjaftë i madh në Klinikën Infektive.

“Po vazhdon edhe më tutje të ketë fluks mjaftë të madh të pacientëve , po ashtu prej tyre ka mjaftë pacientë në gjendje të rëndë që janë me insufiencë respiratorë . Ndërkohë që në Klinikë numri i pacientëve vazhdimisht është rreth 116 deri në 120”, ka deklaruar Mehmeti, për Front Online.

Që s’ka shtretër të lirë e ka thënë edhe infektologu, Mehmeti.

“Pra , të gjithë shtretërit janë të zënë, sapo lirohen disa menjëherë zihen nga pacientët e tjerë që sillen në Klinikë”, është shprehur ai.

Ndërsa, i pyetur se a duhet të ndërmerren masa të reja, duke parë gjendjen e rënduar në vend, Mehmeti ka pohuar se kjo është çështje e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

“Sa i përket masave për t’u ndërmarrë është kompetencë e IKSHPK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë”, ka thënë ai.

E, gjatë ditës se djeshme, Front Online ka kërkuar përgjigje edhe në Ministrinë e Shëndetësisë lidhur me atë se a do të ketë masa të reja në vend, por se në këtë të fundit kanë deklaruar se ende mbesin në fuqi masat e reja.

“Situata epidemiologjike i nënshtrohet monitorimit ditor nga IKSHPK-ja dhe analizave të rregullta epidemiologjike. Varësisht nga rrjedha e saj mund edhe të propozohen masa të ndryshme, por tash për tash mbesin në fuqi masat e ndërmarra më herët”, kanë thënë dje në MSh, për Front Online.

Gjatë 31 ditëve të muajit mars në Kosovë janë konfirmuar 21 mijë e 59 raste të reja me koronavirus, ndërkaq numri i të vdekurve në këtë muaj ka qenë 273.

Sipas statistikave të publikuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës në baza ditore, numri i të shëruarve gjatë marsit 2021 ka qenë 14 mijë e 564 persona.

Në mbrëmjen e 28 marsit, në Kosovë arritën dozat e para të vaksinës kundër Coronavirusit.

Bëhet fjalë për 24 mijë doza të vaksinës së prodhuar nga AstraZeneca, të cilat Kosova i ka pranuar nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Kosova është vendi i fundit që ka siguruar vaksina anti-Covid, derisa vaksinimi i personelit mjekësor i cili ka filluar të hënën është duke vazhduar ende.