Sunny Hill Festival

Gjykata Kushtetuese me dy zgjidhje rreth konstituimit të Kuvendit

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka thënë sot se Gjykata Kushtetuese ka dy zgjidhje kushtetuese lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Sallahu në një postim në Facebook shkruan se Gjykata Kushtetuese mbi bazën e nenit 67 paragrafi 4 i Kushtetutës duhet të vlerësojë qartë se refuzimi i Listës Serbe për ta propozuar kandidatin nga radhët e saj për nënkryetar të Kuvendit, nënkupton që ky subjekt politik ka hequr dorë nga kandidati i tyre për nominim për nënkryetar të Kuvendi.

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Drejtësisë ka folur edhe për atë se në mungesë të vullnetit të deputetëve për të konstituuar Kuvendin, Gjykata Kushtetuese duhet t’i jap autorizim Presidentes së vendit që t’i shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Lexoni të plotë postimin e tij:

E para, Gjykata Kushtetuese mbi bazën e nenit 67 par. 4 të Kushtetutës duhet të vlerësojë qartë se refuzimi i Listës Serbe për ta propozuar kandidatin nga radhët e saj për nënkryetar të Kuvendit, nënkupton që ky subjekt politik ka hequr dorë nga kandidati i tyre për nominim për nënkryetar të Kuvendit dhe si i tillë Kuvendi i Kosovës tashmë e ka përmbyllur fazën kushtetuese të konstituimit të vet. 

Një situatë e ngjashme është  përcaktuar edhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për krijimin e qeverisë ku mosparaqitja e mandatarit është vlerësuar si humbje e të drejtës kushtetuese për ta paraqitur mandatarin nga subjekti politik që i ka fituar zgjedhjet.

E dyta, meqë Kuvendi i Kosovës tashmë ka ezauruar edhe procedurën e shortit të përcaktuar në Rregulloren e Kuvendit nga tri herë për secilin kandidatë, atëherë aktgjykimi i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese është ekzekutuar në tërësi, ku në mungesë të vullnetit të deputetëve për të konstituuar Kuvendin, Gjykata Kushtetuese duhet t’i jap autorizim Presidentes së vendit që t’i shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme duke u bazuar në nenin 82 të Kushtetutës sipas analogjisë.

Secili vendim tjetër, në formë kundërkushtetuese Republikën tonë e bën të varur nga një subjekt politik i cili çdo ditë minon rendin kushtetues të vendit tonë.