Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës ka refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e paraqitur nga “Rrjeti i Femrave për Zhvillim Profesional – Arrita”, ndaj Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), lidhur me nenin 3 të Udhëzimit Administrativ Nr.06/2014, që ndalon bartjen e uniformës fetare në shkollat e mesme.
Paditësja pretendonte se ky nen cenon të drejtat kushtetuese të vajzave që mbajnë shami, duke theksuar se kufizimi i lirive fetare mund të bëhet vetëm me ligj dhe jo me udhëzim administrativ.
Mirëpo, Gjykata Supreme ka konstatuar se dispozitat e kontestuara mbështeten në Ligjin për Arsimin Parauniversitar dhe atë për Arsimin dhe Aftësimin Profesional, të cilat i japin ministrisë kompetencë të përcaktojë rregulla për sjelljen dhe veshjen e nxënësve.
Sipas Supremes, ndalimi i bartjes së uniformës fetare është në përputhje me ligjin dhe me kompetencën ligjore të Ministrisë së Arsimit, duke theksuar se rregullat për veshje në shkolla synojnë ruajtjen e neutralitetit dhe harmonisë fetare në institucionet publike.
Gjykata rikujtoi se edhe Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut kanë theksuar se liria fetare mund të kufizohet në një shoqëri demokratike, për të mbrojtur rendin publik dhe respektin ndaj besimeve të ndryshme.