Grupi qytetar “Asnjë Cent Më Shumë” bën të ditur se sot në ora 11:00, do të dorëzojnë zyrtarisht padinë kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) në lidhje me vendimin e fundit për rritjen e tarifave të energjisë elektrike.
Padia do të dorëzohet në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Pallati i Drejtësisë.
Në njoftimin për media thuhet se pas dorëzimit të padisë, përfaqësues të grupit do të japin një deklaratë për media, ku do të shpjegohen bazat ligjore të padisë dhe pasojat që ky vendim i ZRRE-së po shkakton mbi mirëqenien e qytetarëve.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë e ka aprovuar shtrenjtimin e rrymës prej 16.1 për qind.
Tarifat e reja do të vlejnë për faturat nga 1 maji.
Ndryshe, kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike janë shprehur një numër i madh i qytetarëve, të cilët edhe kishin protestuar kundër këtyre tarifave.