Gucati jep detaje rreth dosjeve të Gjykatës Speciale, e përmend edhe presidentin Thaçi

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, përmes një shkrimi të gjatë, ka folur rreth zhvillimeve të fundit rreth Gjykatës Speciale.

Gucati ka dhënë detaje për dosjet që pretendon se kjo e fundit u ka dërguar në zyrat e organizatës që ai drejton, shkruan Gazeta Sinjali.

Përmes një postimi në Facebook, Gucati është shprehur se gjithmonë kanë qenë të bindur se Gjykata Speciale, është në anën e Serbisë dhe se kjo gjë, sipas tij, u dëshmua edhe me dokumentet që u sollën në zyrat e OVL-UÇK-së.

Gucati ka folur edhe për presidentin Thaçi, për të cilin tha se Gjykata Speciale e dëshmoi qëllimin e saj politik në momentin kur e ndaloi atë që të merrte pjesë në bisedimet mes palës serbe dhe asaj kosovare në Washington.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte ndërhyrë direkt në ndalimin dhe pengimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi që të mos merrte pjesë në kudër të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që ishte paraparë të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Thaçi ishte i ftuar dhe e kryesonte Kosovën në këto bisedime. Ky akt që e ndërmori Gjykata Speciale kundër Hashim Thaçit, tregon qartë se Gjykata Speciale është pjesë e ingranimeve politike dhe se indirekt e mban anën e Serbisë”, ka shkruar ndër të tjera Gucati.