Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, mori pjesë si panelist në Forumin Ekzekutiv të organizuar nga Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA) dhe Thesari i Bankës Botërore.
Paneli u moderua nga Jorge Familiar, Zëvendëspresident dhe Drejtor i Thesarit të Bankës Botërore. Në fjalën e tij, Guvernatori Ismaili theksoi rrugëtimin transformues të Kosovës nga një përfituese e ndihmës së IDA-s në donator, duke nënvizuar rolin kyç të institucioneve të qëndrueshme, menaxhimit të përgjegjshëm financiar dhe partneriteteve strategjike ndërkombëtare në avancimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe integrimit global të Kosovës.
Guvernatori Ismaili prezantoi arritjet kryesore të Kosovës në forcimin e stabilitetit financiar dhe zhvillimin e tregjeve, përfshirë sigurimin e vlerësimit të parë sovran kreditor për vendin, futjen e instrumenteve të menaxhimit të likuiditetit dhe operacionet REPO, si dhe modernizimin e infrastrukturës së pagesave të Kosovës. Ai gjithashtu foli për progresin e BQK-së në përafrimin e sektorit financiar të Kosovës me standardet e Bashkimit Evropian, forcimin e besimit të investitorëve dhe thellimin e integrimit financiar rajonal dhe ndërkombëtar.
Duke reflektuar mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin për Këshillim dhe Menaxhim të Rezervave (RAMP) të Bankës Botërore, Guvernatori Ismaili theksoi hapat kryesorë të ndërmarrë për modernizimin e kornizës së menaxhimit të rezervave të BQK-së, duke përfshirë plotësimin e Politikës së Investimeve, zhvillimin e një qasjeje strategjike të alokimit të aseteve dhe avancimin e praktikave të qeverisjes përmes rishikimit të Komitetit të Investimeve.
Në temën e inovacionit digjital, Guvernatori Ismaili paraqiti avancimet e Kosovës drejt anëtarësimit në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), zgjerimin e kornizës së bankingut të hapur, modernizimin e regjistrave kombëtarë dhe nismat për të nxitur përfshirjen më të gjerë financiare. Ai theksoi se përqafimi i digjitalizimit është thelbësor që bankat qendrore të sigurojnë qëndrueshmëri dhe rëndësi në një ekosistem financiar që po evoluon me shpejtësi.
Forumi shërbeu gjithashtu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e pikëpamjeve mbi forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe rajonal midis vendeve dhe investitorëve institucionalë. Guvernatori Ismaili riafirmoi përkushtimin e Kosovës për forcimin e partneriteteve rajonale për të avancuar stabilitetin financiar, për të rritur likuiditetin e tregjeve,
për të përmirësuar besimin e investitorëve dhe për të mbështetur stabilitetin financiar në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës shpreh mirënjohjen e saj për Thesarin e Bankës Botërore për organizimin e këtij forumi të rëndësishëm dhe riafirmon përkushtimin për forcimin e menaxhimit të financiar, avancimin e transformimit digjital dhe promovimin e rritjes së qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ekonomike.
Forumi Ekzekutiv mblodhi së bashku Guvernatorë të bankave qendrore, ministra të Financave dhe mbi 100 përfaqësues të lartë nga e gjithë bota.