Xhavit Haliti

Guvernatori Ismaili pjesë e panelit mbi inovacionin bankar dhe financiar në konferencën “Dita e Biznesit Francez”

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili, mori pjesë në panelin “Sektori bankar dhe financiar i Kosovës: Një mundësi reale për investitorët francez”, i mbajtur në kuadër të konferencës “Dita e Biznesit Francez”, e organizuar nga Ambasada e Francës në Kosovë dhe Këshilli i Investitorëve Evropian.

Gjatë panelit, Ismaili prezantoi zhvillimet kryesore ekonomike dhe reformat e ndërmarra nga BQK-ja, duke theksuar se sektori bankar i Kosovës mbetet ndër më të qëndrueshmit në rajon, falë kapitalizimit dhe likuiditetit të lartë, si dhe nivelit të ulët të kredive joperformuese. Sipas tij, ky sektor luan rol kyç në mbështetjen e aktivitetit ekonomik dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Ai vuri në pah angazhimin e BQK-së për forcimin e kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse, promovimin e inovacionit financiar, digjitalizimin dhe avancimin e gjithëpërfshirjes financiare. Stabiliteti financiar, sipas Guvernatorit, përforcohet edhe nga harmonizimi i legjislacionit me Bashkimin Evropian dhe përdorimi i euros si valutë zyrtare, duke krijuar siguri juridike për investitorët.

Ismaili foli gjithashtu për modernizimin e infrastrukturës së pagesave përmes projektit TIPS Clone, progresin drejt anëtarësimit në SEPA, bankingun e hapur dhe nevojën për diversifikimin e burimeve të financimit, përfshirë zhvillimin e tregut të kapitalit.

Në përfundim, ai theksoi se Kosova, me një sektor financiar stabil, infrastrukturë moderne dhe potencial në rritje në fushën e fintech-ut, ka mundësi reale të shndërrohet në një destinacion strategjik investimi, me perspektivë të qartë për integrim evropian.

Më shumë info kliko KËTU