Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, mori pjesë si folës në Konferencën e 16-të Ndërkombëtare mbi Pagesat dhe Infrastrukturat e Tregut, me temë “Rikrijimi i Pagesave për Epokën Digjitale”, organizuar në Ohër nga Banka Kombëtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut (NBRM) dhe Banka Qendrore e Holandës (DeNederlandsche Bank – Eurosystem). Punimet e konferencës u hapën me fjalët hyrëse nga Guvernatori i NBRM-së, z. Trajko Slaveski, dhe znj. Inge van Dijk, Drejtore e Pagesave, Parasë dhe Infrastrukturës së Tregut në De Nederlandsche Bank.
Fokusi i konferencës ishte diskutimi mbi forcimin e kuadrit financiar drejt integrimit në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) përmes lidhjes së infrastrukturës së pagesave të Ballkanit Perëndimor me atë të Bashkimit Evropian.
Guvernatori Ismaili mori pjesë si folës në panelin “Realizimi i SEPA-s para anëtarësimit në BE: Përafrimi i infrastrukturës, rregulloreve dhe inovacionit”, së bashku me Guvernatorin e Bankës Kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Trajko Slaveski, Zëvendësguvernatorja e Bankës së Shqipërisë, znj. Luljeta Minxhozi, Guvernatoren e Bankës Qendrore të Malit të Zi, znj. Irena Radović, Guvernatoren e Bankës Qendrore të Bosnjës e Hercegovinës, znj. Jasmina Selimović dhe Guvernatoren e Bankës Kombëtare të Moldavisë, znj. Anca Dragu, moderuar nga z. Holti Banka nga Banka Botërore.
Gjatë fjalës së tij, Guvernatori Ismaili nënvizoi angazhimin e BQK-së për modernizimin e sistemit të pagesave në Kosovë, forcimin e infrastrukturës financiare dhe përgatitjen për integrim të plotë në SEPA, si pjesë e procesit të afrimit me standardet e Bashkimit Evropian. Ai theksoi se gjatë tre viteve të fundit Kosova ka kaluar nga reformat graduale në një transformim gjithëpërfshirës të ekosistemit të pagesave, të përafruar plotësisht me praktikat më të mira evropiane. Në këtë drejtim, Guvernatori Ismaili bëri të ditur se procesi paraprak i aplikimit për anëtarësim në SEPA është bërë në tetor 2024 dhe është përmbyllur në dhjetor 2024. Dorëzimi i aplikimit të plotë do të realizohet në mundësinë e parë kur publikohen ligjet, dhe kur edhe hyjnë në fuqi 20 akte nënligjore të miratuara nga BQK, me mbështetjen e Bankës Botërore, të cilat do të mundësojnë zbatimin e plotë të reformave ligjore dhe teknike.

Duke u ndalur në aspektin teknik dhe të tregut, Guvernatori Ismaili theksoi se bankat dhe institucionet financiare në Kosovë tashmë zbatojnë formatin IBAN si dhe përdorin standardin ISO 20022 nga implementimi i RTGS. Ai shtoi se përfitimi më i madh tashmë i dukshëm në rajon dhe në Kosovë lidhet me hapjen e tregut për akterë të rinj FinTech në fushën e pagesave, çka ka nxitur rritjen e konkurrencës dhe interesit për inovacion, si nga ofruesit vendas ashtu edhe nga ata evropianë, të cilët e shohin integrimin në SEPA si një mekanizëm që krijon kushte të barabarta veprimi në treg.
Megjithatë, Guvernatori Ismaili theksoi se sfidë mbetet sigurimi i përputhjes së plotë operacionale me direktivat PSD2 dhe PSD3, forcimi i kapaciteteve mbikëqyrëse në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (AML/CFT), si dhe garantimi që industria e pagesave të jetë jo vetëm formalisht në përputhje me standardet evropiane, por edhe teknikisht dhe operacionalisht e sinkronizuar me to, në mënyrë që përfitimet nga integrimi të jenë reale dhe të qëndrueshme.
Duke folur për modernizimin e mëtejmë të infrastrukturës së pagesave, Guvernatori Ismaili bëri të ditur se BQK ka integruar procesin e SEPA-s në një strategji më të gjerë të transformimit të pagesave, që përfshin harmonizimin ligjor, modernizimin e infrastrukturës, bankingun e hapur (Open Banking), pagesat e menjëhershme dhe përfshirjen financiare. Ai nënvizoi se projekti TIPS Clone, që po zhvillohet në bashkëpunim me Banca d’Italia dhe Bankën Botërore, përbën shtyllën teknologjike të kësaj strategjie, e cila do të mundësojë pagesa të menjëhershme në nivel kombëtar dhe ndërkufitar me vendet e rajonit dhe të Bashkimit Evropian, duke përfshirë përveç bankave edhe ofruesit jo-bankarë të shërbimeve të pagesave për të nxitur konkurrencën, inovacionin dhe përfshirjen financiare ku kanë shfaqur angazhim të lartë dhe janë aktualisht në fazën e planifikimit dhe përgatitjes për përshtatjen e sistemeve të tyre bazë.
Duke falënderuar organizatorët për këtë konferencë të rëndësishme që mundësoi shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira në fushën e pagesave dhe infrastrukturës së tregut, me synim forcimin e integrimit rajonal financiar, nxitjen e inovacionit dhe përfshirjen e Kosovës në SEPA si një hap thelbësor drejt integrimit të plotë evropian, Guvernatori Ismaili vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer me bankat qendrore dhe autoritetet rregullatore të rajonit dhe të Bashkimit Evropian, si dhe kontributin e institucioneve ndërkombëtare në përkrahje të modernizimit të sistemit të pagesave të Kosovës.
Në këtë konferencë të nivelit të lartë morën pjesë drejtues dhe zyrtarë të institucioneve financiare ndërkombëtare, përfshirë Bankën Botërore, Bankën për Shlyerje Ndërkombëtare (BIS), Komisionin Evropian (DG FISMA dhe DG ENEST), Këshillin Evropian të Pagesave (EPC), si dhe guvernatorë të bankave qendrore evropiane dhe të rajonit, drejtues të institucioneve bankare, ofrues të shërbimeve të pagesave dhe përfaqësues të sektorit privat.