Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka marrë pjesë si panelist në sesionin e nivelit të lartë me temën “Forcimi i qëndrueshmërisë së sistemit financiar në kohë të pasigurive – Ndërtimi i kapaciteteve në vendet në zhvillim dhe ekonomitë në tranzicion”, që u mbajt në kuadër të Takimeve Vjetore 2025 të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB).
Paneli u moderua nga Catriona Purfield, Drejtore e Institutit të FMN-së për Zhvillimin e Kapaciteteve, ndërsa ndër folësit kryesorë ishin përfaqësues të lartë të FMN-së si Dan Katz, Zëvendësdrejtor i Parë Menaxhues; Tobias Adrian, Krye-Financier dhe Drejtor i Departamentit Monetar dhe të Tregjeve të Kapitalit; si dhe Bert Kroese, Krye-Statisticient dhe Drejtor i Departamentit të Statistikave.
Në fjalën e tij, Guvernatori Ismaili prezantoi arritjet kryesore të sistemit financiar të Kosovës, duke ndarë përvojën e vendit me Rishikimin e Qëndrueshmërisë së Sektorit Financiar (FSSR) të FMN-së. Ai theksoi se ky proces ka luajtur një rol të rëndësishëm në forcimin e qeverisjes institucionale, ndërtimin e kapaciteteve mbikëqyrëse dhe analitike, si dhe avancimin e kornizës rregullative, duke ndihmuar në krijimin e një sistemi financiar të qëndrueshëm që mbështet zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin makrofinanciar të vendit.
Ismaili nënvizoi se falë FSSR-së dhe zbatimit të rekomandimeve të saj, BQK ka kaluar në mbikëqyrje të bazuar në rrezik, ka ndërtuar mekanizma për monitorimin e rrezikut sistemik, ka avancuar politikën makroprudenciale, ka modernizuar statistikat financiare në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe ka forcuar mbrojtjen e konsumatorëve dhe përfshirjen financiare.
Sipas tij, zbatimi i suksesshëm i këtyre reformave ka ndikuar në rezultate të prekshme, përfshirë zgjerimin e sektorit financiar, largimin e Kosovës nga lista e vendeve fragjile dhe konfliktuale të FMN-së dhe Bankës Botërore, si dhe marrjen e vlerësimit të parë sovran kreditor nga agjencia ndërkombëtare Fitch Ratings.
Guvernatori theksoi gjithashtu nevojën për zhvillimin e kapaciteteve analitike për vlerësim të rrezikut me qasje proaktive, duke përfshirë rreziqet e reja nga FinTech-et dhe institucionet jobankare. Ai vuri në dukje se investimi në njerëz, të dhëna, sisteme dhe inteligjencë artificiale do të jetë vendimtar për të ruajtur stabilitetin financiar në ekonomitë e vogla dhe të hapura si ajo e Kosovës.
Në përmbyllje, Guvernatori Ismaili falënderoi drejtuesit e FMN-së, Departamentin e Tregjeve Monetare dhe të Kapitalit, Departamentin Evropian, Departamentin e Statistikave, si dhe donatorët dhe partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e tyre të vazhdueshme në proceset reformuese të sektorit financiar të Kosovës.
Pjesëmarrja e Guvernatorit Ismaili në këtë panel të nivelit të lartë u cilësua si një dëshmi e progresit të vazhdueshëm dhe e arritjeve konkrete të BQK-së, ndërsa prezantimi para një audience ndërkombëtare, në një sesion të transmetuar drejtpërdrejt nga FMN-ja, shënon një hap të rëndësishëm në promovimin e besueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së sistemit financiar të Kosovës.