Guvernatori Ismaili priti në takim Gjeneralin italian të Karabinierëve për luftën kundër falsifikimit monetar

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga zëvendësguvernatori Dardan Fusha dhe bashkëpunëtorë të tjerë, priti në takim Gjeneralin e Komandës së Karabinierëve kundër Falsifikimit Monetar të Italisë, Gianluca Vitagliano, i shoqëruar nga Pier Luigi.

Takimi u zhvillua në kuadër të programit evropian “Pericles”, gjatë vizitës zyrtare të Gjeneralit Vitagliano në Kosovë për takime me zyrtarë të lartë institucionalë.

Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili prezantoi mandatin dhe detyrat e BQK-së, duke theksuar përkushtimin në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (AML/CFT), si dhe në parandalimin e falsifikimit të valutave. Ai vuri në dukje bashkëpunimin e ngushtë të BQK-së me institucionet vendore dhe ndërkombëtare në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe sigurimin e integritetit të sistemit financiar të vendit.

Guvernatori informoi delegacionin italian edhe për progresin në hartimin e legjislacionit për themelimin e Qendrës Kombëtare Kundër Falsifikimit të Parasë, një projekt që po realizohet me mbështetjen e Bankës Qendrore të Kroacisë dhe Zyrës së BE-së në Prishtinë, në kuadër të programit TAIEX të Bashkimit Evropian.

Ai po ashtu foli për zhvillimet në sistemin e pagesave, përfshirë integrimin drejt SEPA-s dhe infrastrukturën e re të pagesave të shpejta, që synojnë rritjen e efikasitetit dhe sigurisë në tregun financiar.

Në takim u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në luftën kundër falsifikimit të valutës, përfshirë projektet e bashkëfinancuara nga Komisioni Evropian, që synojnë përmirësimin e kapaciteteve profesionale dhe teknike të institucioneve vendore.

U theksua gjithashtu rëndësia e adresimit të rreziqeve që lidhen me kripto-asetet dhe instrumentet digjitale, në përputhje me zhvillimet globale në fushën e teknologjisë financiare.

Drejtuesit e BQK-së e informuan delegacionin e Karabinierëve italianë për marrëveshjen e nënshkruar në gusht 2025 me Bankën Qendrore Evropiane (BQE), e cila forcon përkushtimin institucional për ruajtjen e integritetit të euros dhe stabilitetit financiar të Kosovës. Kjo marrëveshje mundëson qasje të drejtpërdrejtë të BQK-së në mekanizmat operativë të BQE-së dhe integron BQK-në në rrjetin profesional të Eurosistemit dhe institucioneve partnere në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në përmbyllje, Guvernatori Ismaili falënderoi delegacionin italian për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar se bashkëpunimi ndërkombëtar dhe koordinimi me partnerët evropianë janë thelbësorë për ruajtjen e integritetit monetar dhe forcimin e sigurisë financiare të Kosovës.