Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me Zëvendësdrejtorin Menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Bo Li, dhe ekipin e tij, në kuadër të Takimeve Vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore që po mbahen në Washington.
Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili paraqiti zhvillimet më të fundit në ekonominë e Kosovës, duke theksuar stabilitetin e sektorit financiar, progresin në reformat strukturore dhe forcimin e kapaciteteve institucionale të BQK-së. Ai shprehu mirënjohje ndaj lidershipit të FMN-së për mbështetjen e vazhdueshme në proceset e zhvillimit institucional dhe zbatimit të mandatit të Bankës Qendrore.
Nga ana e tij, Bo Li vlerësoi progresin që ka arritur Kosova në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe zbatimin e suksesshëm të programeve dhe rekomandimeve të FMN-së, përfshirë edhe përdorimin efektiv të mjeteve nga programi i fundit i bashkëpunimit. Ai theksoi se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet FMN-së dhe BQK-së është kyç për zhvillimin ekonomik të vendit dhe forcimin e mëtejshëm të sistemit financiar.
Në takim u diskutuan gjithashtu mundësitë për adresimin e rekomandimeve nga përditësimi i Rishikimit të Stabilitetit të Sektorit Financiar (FSSR), me fokus tek përmirësimi i mekanizmave të stabilitetit financiar përmes rishikimit funksional të kornizës operacionale.
Takimi ri-konfirmoi përkushtimin e ndërsjellë për thellimin e partneritetit institucional ndërmjet BQK-së dhe FMN-së, me synim përmbushjen e objektivave zhvillimore dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike të Kosovës.
Delegacioni i BQK-së do të vazhdojë gjatë ditëve në vijim takimet bilaterale me përfaqësues të lartë të FMN-së dhe Bankës Botërore, në kuadër të aktiviteteve që po zhvillohen në kryeqytetin amerikan.