Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar pas përfundimit të procesit të numërimit të votave në zgjedhjet e fundit, ku PDK është renditur si forca e dytë politike në vend, duke siguruar 192 mijë e 407 vota dhe 22 deputetë në Kuvendin e Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Hamza ka falënderuar qytetarët për besimin e dhënë, duke theksuar se ky rezultat merret me përgjegjësi të madhe nga udhëheqja dhe strukturat e partisë.
“Ky besim është dëshmi se mijëra qytetarë vazhdojnë të besojnë në punën, seriozitetin dhe vlerat që përfaqëson Partia Demokratike e Kosovës, edhe në një garë të vështirë dhe të pabarabartë,” ka shkruar Hamza.
Ai ka theksuar se rezultati zgjedhor e obligon PDK-në që të hyjë në një fazë të re të riorganizimit dhe konsolidimit të brendshëm, si dhe të intensifikojë veprimin politik në të gjitha nivelet.
Sipas Hamzës, PDK do të vazhdojë të angazhohet për të gjithë qytetarët, pa dallim, në çdo platformë institucionale dhe politike ku është e pranishme, me synimin për një Kosovë më të zhvilluar dhe më të mirë.
“Puna jonë vazhdon,” ka përfunduar Hamza, duke ritheksuar zotimin e partisë për angazhim të vazhdueshëm politik në shërbim të qytetarëve.