Haradinaj s’ka veturë të tij, shkoi me atë të Thaçit te Haxhi Shala

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, që ishte njëri ndër dy personat që për hatër të tij u dha vota vendimtare për Qeverinë Hoti, tha se te deputeti Haxhi Shala shkoi me veturën e presidentit Hashim Thaçi, pasi ai s’ka të vetën.

Megjithëse pranon se ka pasë kundërshtime të ashpra me Thaçin, Haradinaj tha se ka gjëra që i bashkojnë, njofton Klan Kosova.

Sot në Prizren ai zbuloi pak nga mesnata kur ai dhe Thaçi i shkuan në konak bashkëluftëtarit të tyre për ta bindur se duhet ta japë votën për edhe pse deputeti i Nismës e kishte vendosur për jo.

“Unë s’grahi makinë timen. Ato janë të atyre që i grahin. S’kam të timen”.

“Me presidentin na kanë ndarë disa tema dhe mund të na bashkojnë disa tjera. Kosova, kufijtë e vet dhe Kushtetuta e vendit janë obligim i të gjithë neve që t’i mbrojmë. Haxhi Shalën kam pasë rastin me njohur që në vitin 1999 pasi kemi shërbyer bashkë në TMK, por më vonë edhe si partner të koalicionit të mëhershëm me Nismën”.

Haradinaj tha se raportet e tij me Thaçin mbesin institucionale.

Ndërkaq, Thaçi mbrëmë në Rubikon të Klan Kosovës nuk iu dha fort rëndësi orës, vendit apo se kush qe ai që bëri ftesën për një takim mes tre ish-luftëtarëve, por ai tha se si president i vendit do t’i jep këshilla kujtdo që i nevojiten. Në këtë rast, Thaçi tha se mendoi që krijimi i institucioneve ishte në të mirën e Kosovës duke mohuar se ka pasë tendenca partiake, prandaj edhe këshilla e tij për Shalën ishte që të jetë pro Qeverisë Hoti.