Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se së fundi janë regjistruar raste të fluturimeve të dronëve në pjesën veriore të vendit, për të cilat dyshohet se vijnë nga territori i Serbisë.
Ai ka theksuar se Policia është në kontakt të vazhdueshëm me KFOR-in dhe po kryen monitorime të situatës.
“Kohën e fundit kemi pasur fluturime të dronëve që ne po dyshojmë që po vijnë nga territori i Serbisë në pjesën veriore të Kosovës. Policia është në kontakt me KFOR, jemi duke bërë monitorimin dhe me pa se çfarë mund të bëhet”, ka theksuar Hoxha pas ceremonisë së shkatërrimit të armëve të vogla dhe të lehta ilegale që e ka bërë Policia të premten.
Ai ka theksuar se rreziku ekziston për pjesën e kufirit, por jo për qytetarët, të cilët sipas tij janë të mbrojtur nga institucionet.
“Është e rrezikshme për pjesën e kufirit po, por për qytetarët tanë jo, ne jemi duke i mbrojtur po ashtu. Ndërsa hapësira ajrore është përgjegjësi e KFOR-it”, u shpreh Hoxha, raporton Ekonomia Online.
Më tej, ai bëri të ditur se institucionet ndërkombëtare janë njoftuar për këtë situatë dhe se përgjegjësia i takon KFOR-it.
“Ne e kemi njoftuar KFOR-in dhe partnerët tanë, KFOR është përgjegjësi e tyre, janë duke punuar për këtë drejtim”, ka theksuar Hoxha.
Shkeljen e kohëpaskohshme të hapësirës ajrore të Kosovës nga dronë të Serbisë, e ka konfimruar dy ditë më parë ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në emisionin “60 Minuta” të KTV-së.
Në lidhje me një veprim të tillë të Serbisë, KOHA ka kërkuar sqarime dhe informata nga misioni i NATO-s në Kosovë – KFOR – dhe posa të marrë një përgjigje, teksti do të përditësohet.
Të mërkurën, Sveçla ka deklaruar se shkeljet e hapësirës ajrore të Kosovës nëpërmjet dronëve janë në kuadër të kërcënimeve që Serbia në vazhdimësi i bën ndaj Kosovës.
“Në vazhdimësi ne kërcënohemi nga Serbia. Tash kohën e fundit po besoj që tashmë e dini që ka një lëvizje të paautorizuar apo shkeljes së hapësirës sonë ajrore përmes dronëve, të cilët kohë pas kohe qarkullojnë apo shkelin hapësirën tonë ajrore”, ka thënë ai.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme ka thënë po ashtu se një veprim i tillë ka ndodhur më shumë se një herë dhe ndonëse nuk ka pranuar që të ndajë më shumë hollësi, ka siguruar se nuk ka hapësirë për shqetësim.
“Ka ndodhur në disa raste. Ne jemi duke i hetuar në mënyrë profesionale në bashkëpunim edhe me KFOR, por edhe me shërbimet partnere dhe në momentin që kemi më shumë, patjetër që do të ndajmë informatat. Tash për tash nuk ka ndonjë gjë për të cilën publiku i Kosovës duhet të brengoset, të gjitha institucionet e Kosovës janë në krye të detyrës”, ka deklaruar ai.