Huawei prezantoi laptopin super të hollë MateBook Fold

Kompania Huawei ka prezantuar një laptop të ri super të hollë, trashësia e të cilit është e krahasueshme me shumë smartphone.

Bëhet fjalë për modelin MateBook Fold, i cili ka një ekran OLED me trashësi prej 7.3 mm kur është i hapur, dhe 14.9 mm kur është i mbyllur.

Për krahasim, laptopi Lenovo ThinkPad X1 Fold ka një trashësi prej 8.6 mm kur është i hapur dhe 17.4 mm kur është i mbyllur. Megjithatë, ndryshe nga ky model, MateBook Fold për momentin është i disponueshëm vetëm në Kinë me një çmim rreth 3300 dollarë.

MateBook Fold përdor një ekran 18 inç, i cili paloset në një kënd prej 90 gradësh, duke formuar një ekran të sipërm prej 13 inç, që imiton një laptop tradicional – por me tastierë digjitale në vend të asaj fizike.

Pajisja peshon vetëm 1.16 kilogramë, përdor ekran OLED me rezolucion 3.3K (3.296 x 2.472 pikselë) dhe arrin ndriçim maksimal deri në 1.600 nits. Laptopi vjen me deri në 32 GB RAM dhe 2 TB memorie të brendshme.

Me këtë laptop ka debutuar edhe sistemi operativ HarmonyOS 5 i Huawei-t për PC. Huawei fillimisht e kishte lançuar HarmonyOS për Android, por më pas e solli sistemin operativ edhe në kompjuterë, pasi humbi qasjen në Microsoft Windows në muajin mars, për shkak të sanksioneve amerikane. Ky sistem operativ është i disponueshëm edhe në modelin e ri MateBook Pro.