Infektologu Krasniqi: Fillon numërimi drejt zeros për koronavirusin

Infektologu Valbon Krasniqi ka njoftuar se në Klinikën Infektive nga e premtja do të trajtohen vetëm nëntë pacientë me koronavirus, duke paralajmëruar “fillimin e numërimit drejt zeros”.

Pasi numri i rasteve të shëruara po rritet ndjeshëm e ai i rasteve të reja pozitive po ngelet prapa, Krasniqi ka thënë se ky është rezultat i durimit të qytetarëve dhe punës profesionale të personelit shëndetësor.

“Fillon numërimi drejt ZERO-s. Sonte në klinikë me 12 pacientë. Shërohen 3 prej tyre, nga nesër me numër njëshifror të pacientëve në klinikë (vetëm 9). Saktësisht, sot pas 8 javësh betejë me koronavirusin, fillon numërimi drejt ZERO-S. Po përjetojmë me gëzim rezultatet e durimit të qytetarëve dhe punës profesionale të gjithë personelit shëndetësorë. Faleminderit qytetarë për durimin”, ka shkruar ai në Facebook.

Të enjten në Kosovë u regjistruan 28 të shëruar e vetëm një rast pozitiv me Covid-19. Deri tash, në nivel vendi janë regjistruar 861 raste me koronavirus, prej të cilëve 561 janë shëruar e 27 kanë vdekur.