Irani dhe milicitë e mbështetura prej tij kanë lëshuar raketa drejt Izraelit dhe disa shteteve arabe, duke goditur edhe kompleksin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kuvajt, ndërsa Izraeli dhe SHBA-ja kanë intensifikuar bombardimet ndaj objektivave në Iran. Përshkallëzimi i luftimeve të hënën është shoqëruar me deklarata sfiduese dhe rritje të numrit të viktimave.
Flakë dhe tym janë parë brenda kompleksit diplomatik amerikan në Kuvajt City, ndërsa alarmet kanë rënë pas sulmit iranian. Sulmi ka ndodhur pak pasi autoritetet amerikane u kishin bërë thirrje qytetarëve të tyre të strehoheshin dhe të tjerëve të shmangnin zonën. Deri më tani nuk ka raportime të menjëhershme për dëme apo viktima.
Ndërkohë, teksa sulmet ajrore amerikane dhe izraelite kanë vazhduar, zyrtari i lartë iranian i sigurisë, Ali Larijani, ka deklaruar në rrjetin social X se “nuk do të negociojmë me Shtetet e Bashkuara”.
Në Irak, milicia pro-iraniane ka marrë përgjegjësinë për një sulm me dron ndaj trupave amerikane në aeroportin e Bagdadit, një ditë pasi kishte pretenduar se kishte qëlluar drejt një baze amerikane në Irbil, në veri të vendit. Ndërkohë, Qiproja ka njoftuar se një sulm me dron ka pasur në shënjestër një bazë britanike në ishullin mesdhetar.
Izraeli dhe SHBA-ja kanë bombarduar vendndodhje raketore iraniane dhe kanë shënjestruar forcat detare të Iranit, duke pretenduar se kanë shkatërruar selinë e marinës dhe disa anije luftarake. Sipas autoriteteve iraniane, mbi 200 persona kanë humbur jetën që nga fillimi i sulmeve.
Teksa bombardimet kanë vazhduar, Hezbollahu ka bërë të ditur se ka lëshuar raketa nga Libani drejt Izraelit në orët e para të së hënës, si reagim ndaj vrasjes së Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ali Khamenei, dhe “agresioneve të përsëritura izraelite”. Ky është sulmi i parë që grupi militant libanez ka marrë përgjegjësinë pas më shumë se një viti.
#WATCH: Smoke seen rising above the #US embassy in #Kuwait https://t.co/lU3ePY8E3q pic.twitter.com/MarLhisEa2
— Arab News (@arabnews) March 2, 2026
Izraeli është kundërpërgjigjur me sulme në Liban, ku sipas Ministrisë së Shëndetësisë së atjeshme janë vrarë të paktën 31 persona dhe janë plagosur 149 të tjerë. Rreth dy të tretat e viktimave raportohet se janë nga jugu i vendit.