Sunny Hill Festival

Jashari: Zgjedhjet e reja janë një mundësi reale

Kriza e thelluar institucionale në Kosovë pas zgjedhjeve parlamentare vazhdon të prodhojë tension dhe paqartësi, ndërsa afati për konstituimin e Kuvendit po afrohet.

Në një postim në Facebook, avokati dhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Arbër Jashari, ka komentuar situatën pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të datës 24 korrik 2025, duke paralajmëruar se nëse Kuvendi nuk arrin të konstituohet deri më 26 korrik, atëherë do të futet në një bllokadë të plotë ligjore.

“Në rast se Kuvendi nuk konstituohet deri më datën 26 korrik, atëherë nuk do të mund të marrë veprime pas kësaj date deri më 8 gusht,” shkruan Jashari.

Sipas tij, në këtë periudhë të pezulluar, pritet që Gjykata Kushtetuese të dalë me një vendim meritor, i cili do të përcaktojë fatin e legjislaturës së re.

“Zgjedhjet e reja janë një mundësi reale,” thekson avokati Jashari.

Kujtojmë se më 24 korrik, Gjykata Kushtetuese vendosi të ndalojë përkohësisht çdo vendim apo veprim të Kuvendit pas përfundimit të afatit 30-ditor kushtetues për konstituim, duke vendosur një masë që hyn në fuqi më 27 korrik dhe zgjat deri më 8 gusht 2025.

Situata mbetet e paqartë, me zhvillime të rëndësishme që pritet të ndodhin në ditët në vijim.