Java vendimtare për mandatarin

Brenda kësaj jave, Gjykata Kushtetuese do të vendosë në kontestin për mandatarin. Mbështetur në veprimet e deritashme të gjykatës dhe informatat në dispozicion, Aktgjykimi për këtë rast do ta favorizojë presidentin Hashim Thaçi dhe subjektet që mëtojnë të ndërtojnë një qeveri të re pa shkuar në zgjedhje, duke e lënë kështu në opozitë Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), subjekt politik që e ka fituar garën elektorale të 6 tetorit.

Pas mocionit kundër Qeverisë së drejtuar nga kreu i LVV-së, Albin Kurti, presidenti Thaçi është thirrur në Nenin 95 të Kushtetutës, për t’i dhënë zgjidhje problemit. Ndryshe nga dy mocionet e mëhershme, pas të cilave qytetarët i janë drejtuar kutive të votimit, pas këtij kundër Qeverisë Kurti kreu i shtetit ka thënë se duhet evituar zgjedhjet. Presidenti i ka kërkuar kreut të LVV-së një mandatar të ri për kryeministër, dhe paralelisht kësaj ka zhvilluar konsulta me subjekte tjera politike.

Ky nen kërkon që kandidati për kryeministër, jo më vonë se 15 ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para deputetëve dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit. Por, akti suprem juridik qëndron i heshtur përkitazi me kohën kur nisë të rrjedh afati 15-ditor. Prandaj, LVV-ja nuk ia kishte ofruar Thaçit emrin.

Presidenti e ka pritur vetëm 20 ditë LVV-në. Pas kësaj kohe, e ka kapërcyer atë dhe ia ka ofruar LDK-së mundësinë për ta propozuar mandatarin, nën supozimin se LVV-ja ka refuzuar ta paraqesë emrin e kandidatit të ri për kryeministër, ani se në shkëmbimin e letrave Kurti kurrë nuk e kishte thënë këtë.

Më 30 prill, Thaçi e ka nxjerrë një Dekret, nëpërmjet të cilit i propozuari i Lidhjes Demokratike (LDK), Avdullah Hoti, është caktuar mandatar për formimin e Qeverisë së re. Të njëjtën ditë, LVV-ja e ka kontestuar në Kushtetuese dekretin.

E, të nesërmen Gjykata e ka pezulluar Dekretin, masë që vlen deri më 29 maj, datë kjo më e largëta kur pritet të nxirret verdikti. Kësisoj, deri të premten e kësaj jave, pritet të dalë aktgjykimi i Kushtetueses për këtë rast.

“Koha Ditore” tek është thirrur në burime brenda gjykatës, ka raportuar javën e shkuar se Gjykata do t’ia rrëzojë dekretin për mandatarin presidentit Thaçi, por do t’i hapë rrugë planit të tij për ta bërë një qeveri të re, pjesë e së cilës nuk do të jetë LVV-ja. Shtatë gjyqtarë të Kushtetueses janë mobilizuar për të gjetur arsyetime mbështetëse për këtë.

Sipas një burimi në gjykatë, Kushtetuesja do të “caktojë” një afat 15 ditësh, brenda të cilit partia që presidenti i drejtohet me kërkesën për ta dhënë mandatarin, duhet ta propozojë emrin e kandidatit për kryeministër ose duhet shprehimisht të heq dorë nga kjo e drejtë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka dhënë sinjale se nuk do ta pranojë Aktgjykimin për mandatarin, nëse në të Gjykata vendosë afate, brenda të cilave partia që presidenti i drejtohet me kërkesën për ta dhënë mandatarin, duhet ta propozojë emrin e kandidatit për kryeministër ose duhet shprehimisht të heq dorë nga kjo e drejtë. Kurti ka këmbëngulur se Gjykata vetëm e interpreton Kushtetutën, por nuk mund të shkruajë norma të reja kushtetuese.

“Ne do ta respektojmë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, përderisa ai është interpretim i Kushtetutës, siç është misioni i Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Kurti, pas një vizite që i ka bërë Burgut të Dubravës.

Kurti ka insistuar se gjyqtarët nuk mund të shkruajnë norma kushtetuese.

“Gjykata Kushtetuese duhet të punojë në qetësi, si e paanë, e pavarur, profesionale. Ajo duhet ta interpretojë Kushtetutën. Nuk mund ta shkruajë Kushtetutën, as Gjykata Kushtetuese, as Kryeministri, as Presidenti”, ka thënë kryeministri në detyrë. “Kushtetuta mund të ndryshohet, përkatësisht shkruhet, vetëm me amendamente në Kuvendin e Republikës”.

Gazeta ka raportuar brenda këtij muaji për dy veprime që ka ndërmarrë Gjykata Kushtetuese, në funksion të nxjerrjes së një verdikti që favorizon presidentin Thaçi.

Kjo gjykatë i është drejtuar një forumi të Komisionit të Venecias, me kërkesën për të marrë opinione rreth rastit që e ka në shqyrtim. Pyetjet orientojnë vendimmarrjen kah rrëzimi i kërkesës së LVV-së.

Anëtarëve të Forumit të Venecias – një mekanizëm i brendshëm që ofron shërbime për vendet anëtare dhe gjykatat e tyre, të cilave ua përcjell përvojat nga shtete të ndryshme – nuk janë pyetur fare nga Gjykata për kushtetutshmërinë e Dekretit nr. 24/2020 të Presidentit.

Një burim i gazetës në Kushtetuese, i ka thënë gazetës të premten se formulimi i pyetjeve nga gjykata, është sikur të bëheshin nga ndonjë avokat i presidentit Thaçi.

“Në letrën që është dërguar në ‘Venice Forum’, kërkohen opinione në pyetjet, që po i perifrazoj: A duhet të shkohet domosdo në zgjedhje pas një mocioni mosbesimi kundër Qeverisë, dhe a mundet Kuvendi të formojë qeveri me shumicë tjetër parlamentare, nga ajo e dalë nga zgjedhjet”, ka treguar ky burim. “Pyetjet e paragjykojnë rezultatin, sepse problemi nuk është a formohet qeveria a jo pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit e as nëse Kuvendi mund të formojnë një qeveri tjetër që nuk reflekton shumicën zgjedhore. Dihet mirëfilli se çdoherë mund të vijë deri të formimi i qeverisë së re pas mocionit të mosbesimit, dhe çdo herë një Kuvend derisa ta shpërndajë vetveten, mund ta themelojë një qeveri të re që reflekton raportin e forcave politike në Kuvend”.

Më pas, Gjykata ka pranuar opinionet e, të paktën, katër gjykatave kushtetuese, anëtare të Forumit të Venecias. Ato e favorizojnë zgjidhjen që e do presidenti Hashim Thaçi.

Një burim i gazetës në Kushtetuese ka thënë të martën se përgjigjet e para kanë mbërritur.

“Janë katër gjykata kushtetuese, anëtare të ‘Venice Forum’, të cilat kanë ofruar përgjigje dhe që të katërtat kanë thënë ‘Po’. Pra, që nuk duhet të shkohet domosdo në zgjedhje pas një mocioni mosbesimi kundër Qeverisë, dhe mundet Kuvendi të formojë qeveri me shumicë tjetër parlamentare, nga ajo e dalë nga zgjedhjet”, ka theksuar ky burim, i cili ka refuzuar të japë më shumë detaje, shkaku i konfidencialitetit që kërkohet në këtë fazë, në komunikimin mes Kushtetueses dhe Forumit të Venecias. “Përgjigjeve ua kanë shoqëruar edhe shembuj nga vendet e tyre”.

Pyetje relevante që gjykata duhej të përcillte në Forumin e Venecias, janë ato që do të jepnin përgjigje të qartë nëse kreu i shtetit e ka shkelur Kushtetutën, nëpërmjet dekretit për mandatarin.

“Pyetja themeltare ka të bëjë me atë se a është Dekreti kushtetues apo jo. Kjo nënkupton që a ka mundur Presidenti t’ia japë mandatin një partie të tjetër, që nuk është fituese e zgjedhjeve, duke e konsideruar mospërgjigjen e fituesit të zgjedhjeve si refuzim dhe heqje dorë nga e drejta kushtetuese për dërgim të emrit të mandatarit”, ka theksuar burimi. “Lidhur me këtë, pyetja që lidhet me kushtetutshmërinë e dekretit është: A ka të drejtë Presidenti që të nisë konsultimet me partitë tjera, barabar ose në të njëjtën kohë me konsultimet me partinë fituese dhe a përbën kjo udhëheqje me formimin e vullnetit politik të një shumicë tjetër parlamentare ku përjashtohet fituesi i zgjedhjeve”.

Pas mocionit, ka pasur luftë letrash mes presidentit e kryeministrit në detyrë. Ajo është parë si luftë kushtetuese mes tyre. Duke ia përmendur “refuzimin” për ta dhënë mandatarin, presidenti synonte ta ndërtonte argumentin e mbështetur në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese referuar krijimit të Qeverisë pas zgjedhjeve, pika 87 e të cilit thotë se “nuk përjashtohet” që partia fituese “do të refuzojë të marrë mandatin”.

Por, Kurti i kishte shkruar kreut të shtetit në një nga letrat: “Jo, nuk refuzojmë kërkesën tuaj”.

Gjykata Kushtetuese ka ndërmarrë edhe një veprim tjetër, në funksion të qëllimit të njëjtë – mbledhjes së sa më shumë fakteve që favorizojnë zgjidhjen e cila ia mundëson Thaçit ta ndërtojë Qeverinë pa LVV-në në të.

Ajo u ka rënë në gjurmë dokumenteve të quajtura “Punime përgatitore” për shkrimin e Kushtetutës, të cilat synon t’i ketë udhërrëfyes me rastin e shqyrtimit të çështjes së dekretit presidencial për mandatarin e qeverisë. Vetëm javë pasi është sfiduar dekreti i Thaçit, dokumentet i kanë shkuar Kuvendit nga Arkivi i Kosovës. Më pas, ato i ka kërkuar Gjykata Kushtetuese, një kopje të të cilave tashmë e ka pranuar.

Por Kryeparlamentarja Vjosa Osmani e ka hequr përgjegjësinë për vërtetësinë e këtyre dokumenteve. Kjo për faktin se ato kurrë nuk janë publikuar në Gazetën Zyrtare apo ndonjë burim tjetër zyrtar. Osmani i ka dërguar shkresë të hënën kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi dhe anëtarëve tjerë, ku janë ngritur dyshime për vërtetësinë e këtyre dokumenteve.

“Kuvendi nuk mund të vërtetojë autenticitetin e këtyre dokumenteve dhe as nëse ndonjëherë ka pasur ndërhyrje në to; Kuvendi nuk mund të vërtetojë se kush i ka poseduar këto dokumente para se ato të dërgoheshin në Arkivat e Kosovës, si dhe nëse gjatë këtyre viteve ka pasur ndërhyrje në to”, shkruan mes tjerash në letrën e Osmanit, të cilën ka arritur ta sigurojë KOHA.

Ajo ka shtuar se Kuvendi i Kosovës nuk i ka poseduar ndonjëherë këto dokumente, deri më 14 maj 2020, kur një kopje i është dhënë nga Agjencia Shtetërore e Arkivave. Osmani e ka përmendur faktin se ato nuk janë publikuar asnjëherë në Gazetën Zyrtare ose në burime tjera zyrtare.

Menjëherë pasi çështja e mandatarit është bërë objekt shqyrtimi në gjykatë, krerët e të tria institucioneve kryesore të Kosovës, Avokati i Popullit dhe deputetë nga katër parti i kanë dorëzuar në këtë institucion komentet përkitazi me meritat e kërkesës së LVV-së.

Në këtë gjykatë i kanë thënë gazetës se komente përkitazi me meritat e kërkesës, deri në fund të orarit të rregullt të punës së të premtes, kanë dërguar: Presidenti Hashim Thaçi, Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, Kryeministri në detyrë Albin Kurti, Avokati i Popullit Hilmi Jashari, Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e LVV-së, Arbërie Nagavci, Grupi Parlamentar i LDK-së, deputeti i LDK-së Arban Abrashi, si dhe deputetët e nga Aleanca Kosova e Re (AKR) Behgjet Pacolli e Mirlindë Sopi-Krasniqi, të mbështetur edhe nga deputetët e Nismës Socialdemokrate Endrit Shala, Haxhi Shala dhe Albulena Balaj-Halimaj.