Jep dorëheqje u.d. e kryeshefes së Telekomit, në vend të saj ish-kreu i AAK-së në Drenas

Ka dhënë dorëheqje nga pozita e ushtrueses së detyrës së kryeshefes së Telekomit, Burbuqe Hana.

Burime të KOHË-s kanë bërë të ditur se dorëheqja e Hanës është aprovuar të hënën pasdite nga Bordi i përkohshëm i Telekomit.

E kontaktuar nga KOHA, Hana ka thënë se ende nuk ka informatë zyrtare.

“Ende nuk kam informatë zyrtare. Sido që të jetë, punë principi: fillimisht do t’i drejtohem punëtorëve e madje mediave”, ka thënë Hana.

Burime të KOHË-s kanë bërë të ditur se Bordi të hënën ka emëruar u.d. të kryeshefit Zeqir Kiqinën. Kiqina vite më parë ka qenë kryetar i Degës së AAK-së në Drenas.

Ai dy vite më parë ishte caktuar u.d. i kryeshefit nga Bordi i atëhershëm i Telekomit, që udhëhiqej nga Besa Shatri-Berisha, bashkëshortja e deputetit të AAK-së, Bekë Berishës.

Kiqina ishte kritikuar për punësimet politike dhe pa kriter në këtë ndërmarrje. Kiqina më pas ishte emëruar zëvendëskryeshef i Telekomit.