Sunny Hill Festival

Kampion edhe në financa, Chelsea me përfitime rekorde pas triumfit në Botërorin e Klubeve

Ka marrë edhe më shumë para, por jo vetëm për një muaj.

Çelsi është një skuadër angleze, në një Premierligë ku kampionia fiton plot 175 milionë paundë në sezon, por gjithsesi, paratë që u futën në xhep në Kupën e Botës për klubet nuk janë aspak për t’u hedhur poshtë. Përkundrazi.

Blutë e Londrës, që fituan për herë të parë këtë trofe pas finales ndaj Paris Saint-Germainit në stadiumin “MetLife” të New Jerseyt, arkëtuan një shifër prej afërsisht 100 milionë eurosh.

BBC britanike e jep përfitimin në 84 milionë paundë, apo rreth 114 milionë USD, ndërsa televizioni amerikan CBS, shkruan se përfitimet ishin 103.5 milionë euro apo 121 milionë USD.

Në çdo rast janë shumë, aq më tepër për vetëm një muaj punë.

Për më tepër, sipas televizionit të mësipërm amerikan, Chelsea ka fituar në total nga aventura amerikane plot 154 milionë USD, duke përfshirë edhe të ardhura që nuk lidhen vetëm me pjesëmarrjen.

Të mos harrojmë se Blutë e Londrës morën 164 milionë paundë për vendin e katërt në Premierligë, që do të thotë 220 milionë USD, përcjell abcnews.

Trajneri Enzo Maresca pritet të bëjë blerje të fuqishme, që skuadra e tij të pretendojë tituj të mëdhenj edicionin e ardhshëm, pse jo kampionatin anglez dhe Championsin.

Përse të mos i synojë një ekip që e mundi PSG-në 3-0 në finalen e Botërorit të Klubeve duke merituar gjithçka?