KEDS ka arritur të ulë ndjeshëm nivelin e humbjeve në rrjetin elektrik gjatë dhjetë muajve të parë të këtij viti. Humbjet ranë në 12.67%, krahasuar me 13.29% në të njëjtën periudhë të vitit 2024. Ky përmirësim prej më shumë se gjysmë pikë përqindjeje është rezultat i drejtpërdrejtë i aksioneve të pandërpera në terren gjatë gjithë kësaj periudhe me fokus në Iuftën kundër vjedhjeve të energjisë elektrike, sikurse edhe masave të ndërmarra për modernizimin e rrjetit dhe forcimin e kontrollit teknik.
Piceria nga Lipjani që duhet të paguajë rikthim të humbjeve prej 14 mijë eurosh, pompa e benzinës në Ferizaj që duhet të paguajë mbi 27 mijë euro si rikthim të humbjeve, apo kultivuesi i kriptove nga Suhareka që duhet të paguajë gati 44 mijë euro si rikthim të humbjeve, janë në mesin e qindra bizneseve që KEDS i zuri duke keqpërdorur energjinë elektrike dhe dhanë efektin e tyre.
Reduktimi i humbjeve mbetet ndër prioritetet kryesore të kompanisë, duke qenë një ndër indikatorët më të rëndësishëm të performancës në sektorin energjetik. KEDS, krahas aksioneve të pandërprera, ka investuar ndjeshëm edhe në teknologji të avancuara, si sistemet inteligjente të matjes (AMI), SCADA, dhe digjitalizimin e menaxhimit të rrjetit, që mundësojnë identifikimin e hershëm të devijimeve dhe ndërhyrjen efikase në terren.
Përmes fushatës ndërgjegjësuese “Rryma t’kushton më lirë kur e paguan”, KEDS po synon të rrisë vetëdijen qytetare për pasojat ekonomike dhe ligjore të vjedhjes së energjisë. Kjo fushatë thekson se energjia është pasuri publike dhe vjedhja e saj dëmton gjithë sistemin, duke ngarkuar faturat e qytetarëve të ndershëm.
KEDS falënderon konsumatorët për bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme në procesin e modernizimit dhe stabilizimit të rrjetit elektrik. Kompania mbetet e përkushtuar të vazhdojë investimet në infrastrukturë, transparencë dhe shërbime më cilësore për qytetarët e Kosovës, duke e bërë rrjetin elektrik gjithnjë e më efikas, të qëndrueshëm dhe të drejtë.