Kompania Contour Global, ia kërkon Qeverisë mbi 20 milionë euro si kompenzim për shpenzime për Kosovën e Re

Mbi 20 milionë euro ia ka kërkuar “Contour Global” Qeverisë së Kosovës si kompenzim për shpenzimet e projektit përmes një letre të 24 majit, në të cilën në të njëjtën kohë e ka lajmëruar për shkëputjen e kontratës.

Këtë e ka bërë të ditur Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike -MEPTINS, një postimi në Facebook.

Aty shkruhet se shkruhet se letra e “Contour Global” ishte pranuar të dielen, më 24 maj.

“Jemi të befasuar dhe të zhgënjyer që Contour Global ka zgjedhur të njoftojë se synon shkëputjen e marrëveshjeve me Qeverinë dhe të parashtrojë kërkesën e pathemeltë dhe të padrejtë për kinse 20.053.125,63 euro shpenzime të zhvillimit të projektit”, shkruhet në të.

Ministria në të njëjtën kohë ka bërë të ditur se para se drejtuesit e kësaj kompanie ta përgatisnin letrën, ministrja Hajdari i kishte ftuar ata në një telekonferencë për të diskutuar çështjet e projektit të termocentralit “Kosova e Re”.

Postimi i plotë:

Përgjigje e Ministrisë në pyetje të gazetarëve rreth projektit të termocentralit “Kosova e Re”

MEPTINIS ka pranuar letrën e kompanisë “Contour Global” të 24 majit 2020. Jemi të befasuar dhe të zhgënjyer që Contour Global ka zgjedhur të njoftojë se synon shkëputjen e marrëveshjeve me Qeverinë dhe të parashtrojë kërkesën e pathemeltë dhe të padrejtë për kinse 20.053.125,63 euro shpenzime të zhvillimit të projektit.

Para se drejtuesit e Contour Globalit të përgatisin letrën, ministrja Hajdari i ka ftuar ata në një telekonferencë për të diskutuar çështjet e projektit të termocentralit “Kosova e Re”. Në vend të përgjigjes ndaj ftesës sonë, Contour Global ka dërguar letrën për të njoftuar se synon shkëputjen e kontratave dhe për të kërkuar pagesën.

Letra është vazhdimësi e përbuzjes që Contour Global ka shfaqur ndaj detyrimeve të veta kontraktore. Më 10 mars, Qeveria ka rithemeluar komitetin drejtues të projektit “Energjia nga Linjiti”, që përfshin termocentralin Kosova e Re. Më 12 mars, ministrja Hajdari ka njoftuar përfaqësuesit e Contour Globalit se kërkon diskutime të mëtejshme rreth projektit, në veçanti rreth parakushteve që palët duhej të përmbushnin. Kurse më 17 mars, Contour Global ka njoftuar publikisht tërheqjen e njëanshme nga projekti, duke hedhur poshtë detyrimet kontraktore, duke fajësuar pa bazë Qeverinë dhe duke shprehur spekulime të pabaza mbi çështje politike, në dëm të Republikës së Kosovës.

Si ministre përgjegjëse për energjinë dhe kryesuese e komitetit drejtues të projektit, Ministrja Hajdari ka trajtuar çështjet me kujdes dhe ka bashkërenduar veprimet me komitetin që nga rithemelimi i tij. Ministrja tashmë ka njoftuar anëtarët e komitetit për letrën e 24 majit dhe ka thirrur mbledhjen e radhës për të shqyrtuar rastin. Znj. Hajdari është angazhuar gjithashtu për t’i siguruar komitetit mbështetjen e nevojshme për vendimmarrjen e duhur. Mbështetja do të përfshijë këshillat juridike nga një ekip i përgatitur dhe i dëshmuar.

Komiteti drejtues i projektit merr vendime në emër të Qeverisë. Si në çdo rast, Qeveria Kurti do të veprojë në përputhje të plotë me ligjin dhe interesin publik, duke u angazhuar për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve të Republikës së Kosovës.