Komuna e Malishevës apelon: Gjendje e rënduar për shkak të reshjeve – mos lëvizni pa nevojë

Komuna e Malishevës ka bërë apel për kujdes të shtuar, si pasojë e gjendjes së rënduar të krijuar nga reshjet e pandërprera të shiut.

Sipas njoftimit të Shtabit Emergjent për menaxhimin e situatave emergjente, shumë rrugë në territorin e komunës janë bllokuar nga uji, për shkak të rritjes së nivelit të lumenjve dhe përroskave, gjë që ka vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve.

Autoritetet komunale u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme, ndërsa në rastet kur lëvizja është e domosdoshme, të përdorin rrugë alternative dhe të tregojnë kujdes të shtuar.

Po ashtu, është bërë e ditur se të gjitha ekipet emergjente janë në terren dhe po punojnë intensivisht për menaxhimin e situatës dhe parandalimin e dëmeve të mundshme.

Komuna e Malishevës ka theksuar se do të vazhdojë të informojë qytetarët për çdo zhvillim të ri lidhur me situatën.