Komuna e Prishtinës ka njoftuar se pas një muaji ka arritur marrëveshje me punëtorët e Ndërmarrjes Publike “Pastrimi” për ta ndërprerë grevën e tyre.
“Sot është arritur marrëveshja mes Komunës së Prishtinës dhe Këshillit Grevist të Ndërmarrjes ‘Pastrimi’ për ndërprerjen e grevës së punëtorëve para objektit të Komunës,” thuhet në njoftim, ku gjithashtu bëhet e ditur se në orën 16:30 do të mbahet një deklaratë e përbashkët për media.
Punëtorët e “Pastrimit” ishin në grevë që një muaj, me kërkesën kryesore për shlyerjen e një borxhi prej 2.7 milionë euro, për të cilin kompania thotë se i takon nga Komuna – pretendim që është mohuar nga zyrtarët komunalë. Ndër kërkesat e tyre ishte edhe ndalimi i operatorëve privatë në grumbullimin e mbeturinave në kryeqytet.
Fillimisht, grevistët kishin bllokuar rrugën me disa kamionë përpara objektit të Komunës, por më pas kishin larguar automjetet dhe kishin vazhduar grevën në formë të qëndrimit në oborr.
Gjatë kësaj periudhe, shumë lagje të Prishtinës kishin mbetur pa u pastruar, duke nxitur ankesa të shumta nga qytetarët. Komuna kishte premtuar disa herë zgjidhje për situatën, e cila duket se është arritur sot përmes marrëveshjes së fundit.