Konfiskohet 32 mijë euro të padeklaruara, procedohet penalisht 50-vjeçari

Policia Kufitare e Shqipërisë në Kapshticë parandaloi një rast të tentativës për transfertë të parave në mënyrë të paligjshme.

Janë sekuestruar 32 mijë euro dhe është bërë procedimi penalisht për poseduesin e tyre, pasi nuk i deklaroi në kufi.

“Shërbimet e Policisë Kufitare të Kapshticës, në bashkëpunim e koordinim të veprimeve me shërbimet doganore dhe ato të DVP Korçë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, në sajë të forcimit të kontrolleve, kanë evidentuar dhe goditur një rast të transfertave të parave në mënyrë të paligjshme jashtë vendit”.

Pas analizës së riskut të bërë nga shërbimet e Policisë Kufitare, gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë, shtetasit V. M., 50 vjeç, i cili u paraqit në dalje të Republikës së Shqipërisë si këmbësor, iu gjetën në çantën personale 32.000 euro të padeklaruara nga ana e tij, të cilat iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

“Veprimet procedurale u kryen nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në DVP Korçë, të cilët i referuan materialet hetimore në Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë””, njofton Policia e Shqipërisë.