Kosova, në masa të rrepta izolimi, do të grumbullohet për Moldavinë dhe Greqinë

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll më 31 gusht do ta ketë ditën e parë të grumbullimit për dy ndeshjet e para të edicionit të dytë të Ligës së Kombeve, atë kundër Moldavisë në Itali dhe kundër Greqisë në stadiumin “Fadil Vokrri”. Ndeshjen e parë do ta luajë më 3 shtator, kurse të dytën pas tre ditësh.

KOHA ka mësuar se gjatë grumbullimit futbollistëve do t’u ndalohet lëvizja e madhe në hotel, vizitat me familjarët e tyre, si dhe stërvitjet do t’i zhvillojnë pa praninë e shikuesve.

“Kemi paraparë masa të rrepta për mbrojtjen e lojtarëve, sepse është situatë e rëndë. Pos testeve të rregullta, do të kërkohet kujdes edhe në lëvizje gjatë qëndrimit në hotel. Stërvitjet do të zhvillohen pa praninë e familjarëve apo shikuesve në stadium, derisa nuk përjashtohet mundësia që edhe paraqitjet para gazetarëve të jenë të limituara apo edhe të ndaluara tërësisht. Nuk bëhet me dëshirën tonë, por jemi të detyruar për të parandaluar çdo rrezik të infektimit me koronavirus”, ka thënë një anëtar i stafit të ekipit përfaqësues të Kosovës në kushte anonimiteti.