Kombëtarja e Kosovës të martën zhvillon ndeshjen e fundit në këtë fazë të kualifikimeve për Botërorin 2026.
Në ndeshjen në “Fadil Vokrri”, “Dardanët” presin Zvicrën, derisa tashmë kanë siguruar një vend në fazën e play off-it.
Trajneri Franco Foda, duhet të ketë kujdes pasi mund të mbetet pa disa nga yjet kryesorë në play-off, meqenëse katër lojtarë kanë nga një karton të verdhë në këto kualifikuese dhe nëse ‘zverdhën’ nesër atëherë do ta humbasin së paku gjysmëfinalen.
Bëhet fjalë për dy qendërmbrojtësit Lumbardh Dellova dhe Albian Hajdari, si dhe mesfushorët Muharrem Jashari dhe Leon Avdullahu.
Dellova u ndëshkua me karton të verdhë ndaj Sllovenisë, kurse Albian Hajdari gjatë fitores 0:1 te Suedia.
Avdullahu e ka kartonin e verdhë në barazimin 0-0 të Sllovenisë, derisa Jashari në triumfin 2:0 kundër suedezëve në Prishtinë.
Tre nga këta katër yje luajnë titullarë në formacionin e Franco Fodas, prandaj nëse ndodhë më e keqja, atëherë do të jenë mungesë jashtëzakonisht e madhe për “Dardanët”.
Faktikisht edhe Foda po e konsideron ndryshimin e formacionit fitues shkaku i kësaj situate.
“Sot e kemi seancën stërvitore, do të flas me disa lojtarë dhe ndoshta do të kemi disa ndryshime në formacion”, deklaroi Foda.