Sunny Hill Festival

Kosova pa Kuvend funksional edhe pas 32 tentimesh

Deputetët vazhdojnë të dështojnë ta konstituojnë përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës edhe katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, duke e lënë vendin pa institucione të reja.

Ata u mblodhën të dielën, për herë të 32 radhazi çdo të dytën ditë që nga 15 prill dhe u larguan shpejt si rendomë pa gjetur zgjidhje për zhbllokimin e ngërçit politik. Ata do të mblidhen përsëri pas 48 orëve, pra të martën e 17 qershorit.

Në seancën e së dielës u pa një interesim i vogël edhe për të marrë pjesë madje, pasi vetëm 75 deputetë ishin të pranishëm nga 120 sa ka Kuvendi i Kosovës.

Dështimi i radhës ndodhi disa ditë pasi kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e shpalosi një agjendë 15-pikëshe për një qeveri të unitetit, duke i ftuar të gjitha partitë parlamentare ta formojnë atë si mënyrë për të dalë nga kriza politike.

Propozimi i LDK-së është kundërshtuar menjëherë nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës preferon një ekzekutiv mes partive që mandatin e kaluar ishin në opozitë. Një koalicion të tillë e preferon edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.