Kosova pa Rashicën e Bernard Berishën, por me shpresë për sukses në ndeshjen më të madhe

Milot Rashica nuk ka sanuar lëndimin, ndërsa Bernard Challandes nuk ka harruar veprimin josportiv të Bernardit tjetër të përfaqësueses, Bernard Berisha.

Zvicerani Challandes nuk ka përfshirë Rashicën e Berishën në listë për ndeshjen më të rëndësishme të Kosovës deri më tani, atë ndaj Maqedonisë së Veriut, që luhet të enjten në Shkup.

Selektori i përfaqësueses së Kosovës në futboll, Challandes, të premten publikoi listën për tri ndeshjet e këtij muaji. Nën hije të takimit në Shkup, Kosova i zhvillon ndeshjet e radhës në Ligën C të Ligës së Kombeve të UEFA-s, ndaj Sllovenisë më 11 tetor në Prishtinë dhe ndaj Greqisë më 14 tetor në Athinë, shkruan KOHA.

Rashica ishte lënduar në ndeshjen e Kosovës ndaj Moldavisë, më 3 shtator. Ishte ndeshja hapëse e edicionit të dytë të Ligës së Kombeve, që përfundoi 1:1. Rashica prej atëherë nuk ka luajtur më. Po i mungon edhe Werder Bremenit, nga e cila skuadër ka mundësi të largohet.

Kosova ndeshjen e dytë në edicionin e dytë të Ligës së Kombeve e luajti ndaj Greqisë në Prishtinë, më 6 shtator. Greqia fitoi 2:1, kurse golin e vetëm për “dardanët” e shënoi Bernard Berisha. Goli megjithatë mbeti nën hije të veprimit të Berishës, menjëherë pas shënimit. I pakënaqur me hapësirën që ia ka ofruar, Berisha me të shënuar është kthyer nga selektori Challandes dhe ka bërë veprime josportive ndaj tij. Berisha ishte munduar të arsyetonte veprimin, dhe përkrahja publike ndaj tij nuk mungoi, ndonëse kishte vlerësime të ndryshme. Por Challandes ka vendosur të mos e ftojë për tri ndeshjet e tetorit.

Zyrtarisht nuk është dhënë ndonjë arsye për mbetjen jashtë të Bernard Berishës, që bën karrierë në Rusi. Ai ftohet thuajse rregullisht, por luan pak.

Menaxheri i përfaqësueses së Kosovës, Bajram Shala, me vendim të FFK-së, nuk ka folur të premten për listën. Nuk ka folur as Challandes, që do të ketë konferencë të hënën prej orës 11:00. Po të hënën, në mbrëmje nga ora 19:00, Challandes udhëheq stërvitjen e parë para ndeshjes me Maqedoninë e Veriut.

Ndeshja ndaj Maqedonisë vlerësohet vendimtare sa i takon realizimit të ëndrrës për kualifikim në Evropian. “Euro 2020” i shtyrë për vitin tjetër do të plotësohet me ekipet pjesëmarrëse përmes plejofit. Gjysmëfinalet e plejofit për kualifikim në Evropian, të përcaktuara në bazë të suksesit në edicionin e parë të Ligës së Kombeve të UEFA-s, luhen të enjten. Finalet, ku Kosova shpreson të jetë, luhen në nëntor.