Mbi 1340 raste aktive me COVID-19 në Kosovë

Pavarësisht se numri i rasteve të reja ka shënuar rënie gjatë muajit shtator dhe se numri i të shëruarve është rritur, janë ende edhe 1 mijë e 347 të infektuar që po vazhdojnë “luftën” me koronavirusin. 

Nga 13 marsi kur u shënuan dy rastet e para me COVID-19 në Kosovë, deri sot, 15 mijë e 705 persona u prekën nga ky virus, 627 prej të cilëve ndërruan jetë. 

Nga numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara, 13 mijë e 731 janë shëruar, ndërsa janë ende edhe 1 mijë e 347 raste aktive. 

“Numri total i rasteve pozitive është 15.705 raste nga 69.108 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 627 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 54 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 13.731 raste, kurse numri i rasteve aktive është 1.347”, thuhet në raportin e fundit të IKSHPK-së.